Bajram Rexhepi ka deklaruar se është kërcënuar me jetë, pasi sipas tij, publikoi informacione lidhur me atë që e cilëson si plan për tjetërsimin e parcelës ndërtimore të ish-zjarrfikësve në Tetovë. Ai tha se rasti tashmë është denoncuar në polici dhe kërkoi nga institucionet kompetente të veprojnë në përputhje me ligjin, raporton Tetovasot.
Sipas Rexhepit, kërcënimet kanë ardhur nga Ibrahim Ferati, për të cilin ai pretendon se është vëllai i pronarit dhe autorit të planit që ai e cilëson si “vjedhje” të pronës publike.
“Pasi kemi zbardhur planin e vjedhjes së Komunës së Tetovës për parcelën ndërtimore të zjarrfikësve dhe kemi denoncuar të gjithë planin që ata e quajnë studim i fizibilitetit, mbrëmë kam pranuar kërcënime. Sot këtë rast e kemi denoncuar në polici,” deklaroi Rexhepi për Tetovasot.
Ai shtoi se, sipas pretendimeve të tij, personi që e ka kërcënuar është i lidhur me kompaninë që po ndërton objektin e Komunës së Tetovës.
“Dua t’u bëj me dije të gjithë atyre që përdorin metoda të tilla mesjetare kërcënimesh se jo vetëm që nuk do të na frikësojnë, por përkundrazi, ne do të vazhdojmë të denoncojmë çdo hap që, sipas nesh, përbën tentativë për vjedhjen e pronës së tetovarëve,” tha Rexhepi.
Ai u bëri thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që të ndërmarrin veprime sipas kompetencave të tyre.
“U bëj thirrje organeve kompetente të veprojnë konform ligjeve në fuqi. Gjithashtu i bëj thirrje kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, që t’i ndalë këto veprime para se të jetë vonë,” u shpreh ai.
I pyetur nga Tetovasot se për çfarë lloj kërcënimi bëhet fjalë, Rexhepi tha se bëhet fjalë për kërcënim me jetë.
“Përmbajtjen e kërcënimit e kemi dorëzuar në polici dhe nuk do të doja të shpalos detaje publikisht. Presim që organet kompetente të veprojnë në përputhje me ligjin,” deklaroi ai.
Deri në këtë moment nuk ka reagim publik nga personat e përmendur në deklaratat e Rexhepit. Tetovasot mbetet e hapur për publikimin e çdo reagimi apo sqarimi të palëve të përmendura në këtë rast.



