Zbardhen detaje të reja nga rasti i rëndë në Stein të kantonit Aargau, ku trupi i copëtuar i një 33-vjeçari nga Burundi u gjet në qese mbeturinash në lumin Rajn.
Policia zvicerane ka arrestuar një 43-vjeçar nga Bangladeshi, i dyshuar për përfshirje në vrasjen e 33-vjeçarit nga Burundi, trupi i copëtuar i të cilit u zbulua të dielën në lumin Rajn, pranë qytetit Stein, në kantonin Aargau.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Publike të Aargaut, i dyshuari dhe viktima ndanin të njëjtën dhomë në qendrën e azilit në Stein. 43-vjeçari u arrestua më 27 tetor 2026, gjatë një aksioni të gjerë policor në qendrën e azilit dhe zonën përreth.

Hetuesit kanë sekuestruar prova që kanë forcuar dyshimet ndaj tij. Prokuroria ka kërkuar që i dyshuari të mbahet në paraburgim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vazhdojnë.
Qendra e azilit u mbyll, banorët u zhvendosën
Të martën, hetuesit mjeko-ligjorë zhvilluan kontrolle të hollësishme në qendrën e azilit. Operacioni zgjati deri në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa ndërtesa u mbyll dhe banorët u sistemuan në akomodime të tjera.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, edhe qentë nuhatës të policisë u përfshinë në kërkime, duke kontrolluar zonën nga ndërtesa deri te lumi Rajn.
Viktima, 33-vjeçari J., ishte raportuar i zhdukur që nga e shtuna. Trupi i tij i copëtuar u zbulua të dielën në mëngjes, pasi një grua 36-vjeçare dhe dy persona të tjerë gjetën një qese mbeturinash që përmbante një pjesë të trupit të tij.
Prokuroria: Nuk ka indikacione për motive politike apo fetare
Autoritetet zvicerane bëjnë të ditur se deri më tani nuk ka indikacione që krimi të ketë motive politike apo fetare.

Gjatë hetimeve, i dyshuari ka shfaqur shenja të mundshme të problemeve mendore. Nëse këto kanë ndonjë lidhje me krimin, mbetet çështje që do të sqarohet nga hetimet e mëtejshme.
Prokuroria thekson se hetimet për motivin dhe rrethanat e sakta të vrasjes janë ende në vazhdim dhe se për të dyshuarin vlen prezumimi i pafajësisë.
Në rast të një konflikti të armatosur, Estonia po ndërton 150 bunkerë në kufirin me Rusinë



