6.3 miliardë dollarë janë vjedhur nga Binance, platforma më e madhe në botë për tregtimin e kriptomonedhave, në atë që konsiderohet si një nga sulmet më të mëdha kibernetike në historinë e këtij sektori.
Sipas kompanive amerikane pas sulmit dyshohet se qëndrojnë hakerë të lidhur me Korenë e Veriut.
Autorët kanë goditur kuletat digjitale të Binance duke arritur të transferojnë pjesën më të madhe të fondeve brenda vetëm 20 minutash.
Kompania njoftoi se ka arritur të ngrijë rreth 3 miliardë dollarë nga asetet e vjedhura, ndërsa bashkëthemeluesja Yi He deklaroi se platforma do të mbulojë të gjitha humbjet e përdoruesve.
Sipas hetimeve paraprake sulmi mund të ketë nisur nga një kompjuter i hakeruar i një prej inxhinierëve të kompanisë.
Lajmi shkaktoi tronditje në tregjet e kriptomonedhave. Bitcoin dhe Ethereum humbën më shumë se 3 për qind të vlerës, ndërsa edhe monedha BNB regjistroi rënie.
Ndërkohë, kompanitë Tether, Circle dhe Ripple kanë bashkëpunuar për ngrirjen e fondeve të lidhura me sulmin.
Ngjarja ka ngritur shqetësimet për sigurinë e aseteve digjitale dhe rrezikun që paraqesin sulmet kibernetike për miliona investitorë në mbarë botën.



