Bullgaria drejt zgjedhjes së presidentes së parë grua

Sondazhet pas mbylljes së votimit në Bullgari tregojnë se Iliana Yotova pritet të fitojë zgjedhjet presidenciale.

Rezultatet e pjesshme zyrtare pritet të publikohen gjatë së dielës.

Sipas sondazheve të disa kompanive, Yotova ka marrë rreth 52% të votave. Nëse rezultati konfirmohet zyrtarisht, ajo do të bëhet gruaja e parë e zgjedhur presidente në historinë e Bullgarisë.

Kundërshtari i saj, ish-kryeministri i përkohshëm Andrey Gyurov, i mbështetur nga partitë opozitare pro-perëndimore, ka marrë rreth 44% të votave.

Këto zgjedhje ishin prova e parë e madhe për partinë “Bullgaria Progresive” të kryeministrit Rumen Radev, e cila ka mbështetur Yotovën. Në zgjedhjet parlamentare të prillit, kjo parti fitoi 131 nga 240 vendet në Parlament, duke siguruar shumicën.

Vëzhguesit politikë vlerësojnë se fitorja e Yotovës do të mbante presidencën në duart e shumicës qeverisëse. Sipas tyre, përqendrimi i pushtetit në të njëjtat duar mund të dobësojë kontrollin që institucionet duhet të ushtrojnë ndaj vendimeve të qeverisë.

Yotova, 62 vjeçe, mori detyrën e presidentes në janar, pasi Radev dha dorëheqjen për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare. Këtë herë ajo kërkoi të merrte mandatin e saj përmes votës së drejtpërdrejtë të qytetarëve.

Ajo pritet të vazhdojë politikën e Radevit, duke mbështetur anëtarësimin dhe rrugën evropiane të Bullgarisë, por edhe përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë dhe heqjen e sanksioneve ndaj saj.

Pas votimit të dielën, Yotova tha se kishte votuar për një Bullgari që merr vetë vendimet dhe ka një zë të fortë në arenën ndërkombëtare.

“Votova për bashkimin e qytetarëve përmes dialogut, për institucione që punojnë në shërbim të njerëzve dhe për një shtet të fortë, me politikë të jashtme të pavarur, brenda një Evrope të fortë”, u shpreh ajo.

Bullgaria është anëtare e NATO-s që prej vitit 2004 dhe e Bashkimit Evropian që prej vitit 2007. Megjithëse partitë parlamentare mbështesin përgjithësisht orientimin pro-perëndimor të vendit, shoqëria bullgare mbetet e ndarë për marrëdhëniet me Rusinë. Një pjesë e qytetarëve ruajnë lidhje të forta historike dhe kulturore me Moskën, veçanërisht pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Si Yotova, ashtu edhe Radev kanë kërkuar zgjidhjen e luftës në Ukrainë përmes diplomacisë. Megjithatë, ata nuk kanë mbajtur një qëndrim të qartë për përfshirjen e mundshme të Rusisë në sulmet me dronë në zonën e Detit të Zi.

Gjatë një debati televiziv me kundërshtarin e saj, Yotova tha se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës duhet të përfshijë si Ukrainën, ashtu edhe Rusinë. Sipas saj, “paqja mund të arrihet vetëm përmes negociatave”. Ajo propozoi gjithashtu një takim mes gjashtë vendeve që kufizohen me Detin e Zi, me synimin për të nënshkruar një marrëveshje për ndalimin e luftimeve.

Presidenti i Bullgarisë ka kryesisht rol përfaqësues dhe nuk drejton qeverinë. Vendimet kryesore merren nga Parlamenti, por presidenti zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët dhe ka një peshë të rëndësishme politike.

Ai është komandant i Forcave të Armatosura, mund të kthejë ligjet për rishqyrtim, të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare dhe të emërojë ambasadorë.

Presidentët në Bullgari zgjidhen për një mandat 5-vjeçar dhe mund të qëndrojnë në detyrë deri në dy mandate.