Deputeti britanik dhe ish-ministri George Freeman është gjobitur me 430 paund dhe është ndëshkuar me gjashtë pikë penalizimi në patentën e drejtimit, pasi u kap duke përdorur telefonin celular gjatë drejtimit të automjetit. Ngjarja u denoncua nga një çiklist, i cili e kishte parë Freeman duke parë telefonin ndërsa ishte në timon dhe njoftoi policinë. Deputeti, i cili përfaqëson zonën zgjedhore Mid Norfolk që prej vitit 2010, u deklarua fajtor më 1 shtator në Gjykatën e Magjistraturës në Stratford.
Freeman pranoi se kishte përdorur aplikacionin e navigimit Waze, duke pretenduar se ishte bllokuar në trafik dhe po kontrollonte hartat në telefonin e tij. “Isha i bllokuar në trafik dhe po kontrolloja Waze në telefonin tim. Marr përgjegjësi të plotë dhe pendohem thellësisht për veprimet e mia”, deklaroi ai për gazetën Mirror.
Përveç gjobës prej 430 paundësh, gjykata i vendosi edhe 172 paund shpenzime gjyqësore dhe 130 paund për shpenzimet e policisë së Londrës. George Freeman ka mbajtur disa poste ministrore gjatë qeverisjes së konservatorëve Boris Johnson dhe Rishi Sunak. Në vitin 2023, ai dha dorëheqjen nga posti i sekretarit të Shkencës, duke deklaruar se nuk arrinte të përballonte rritjen e kësteve të kredisë hipotekare me pagën e tij ministrore, e cila ishte rreth 120 mijë paund në vit.
Në atë kohë, ai bëri të ditur se kësti mujor i hipotekës do t’i rritej nga 800 në 2 mijë paund, shumë që pretendonte se nuk mund ta përballonte. Në prill 2024, Freeman mori një pozicion këshillues me pagesë në kompaninë GHGSat, e cila monitoron emetimet e gazrave serrë. Emri i tij u përfshi sërish në një çështje që lidhej me aktivitetin e tij politik, pasi u pezullua nga detyrat si i dërguar tregtar i qeverisë britanike në Malajzi, Filipine, Singapor dhe Brunei. Vendimi erdhi pasi ai e referoi vetë çështjen te organi mbikëqyrës parlamentar, lidhur me akuzat se kishte marrë pagesa nga një kompani që e kishte ndihmuar të përgatiste pyetje drejtuar ministrive qeveritare.



