Bërvenica si pasqyrë e politikës së Mickoskit ndaj shqiptarëve!

Fitorja e Arkin Jahijit, kandidatit të AKI-së, në Bërvenicë, është para së gjithash rezultat i qasjes së gabuar politike të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe partisë së tij, VMRO-DPMNE-së, ndaj shqiptarëve.

Mickoski erdhi në pushtet me retorikë nacionaliste dhe qëndrime që shpesh perceptoheshin si antishqiptare. Për një parti të djathtë nacionaliste, një retorikë e tillë mund të kuptohet si pjesë e strategjisë së saj politike për zgjedhje. Por, pasi mori përgjegjësinë për qeverisjen e shtetit, duhej të dëshmonte se është i gatshëm të ndërtojë një partneritet të sinqertë me partitë politike shqiptare.

Në vend të kësaj, filloi të shfaqë një qasje dominuese, ndoshta i inkurajuar nga numri më i madh i mandateve parlamentare, pa treguar respektin e nevojshëm ndaj partnerëve shqiptarë në Qeveri. Njëkohësisht, filloi të kontestojë edhe disa nga arritjet e shqiptarëve, me sa duket duke menduar se përmes kësaj retorike do të bëhej hero në sytë e elektoratit maqedonas.

Por, siç deklaroi edhe vetë pas zgjedhjeve: „Në Bërvenicë fitoi demografia, nacionalizmi shqiptar dhe kuajt e Trojës. VMRO-ja mbeti e vetme kundër të gjithëve“.

Atëherë shtrohet pyetja: Pse mbeti e vetme?

Marrëdhëniet ndërmjet partnerëve qeveritarë kanë qenë të paqëndrueshme. Funksionarët e VLEN-it janë përballur me kufizime në veprimtarinë e tyre dhe në paraqitjet publike. Kryeministri në disa raste i ka kritikuar publikisht, madje edhe i ka vënë në pozita nënçmuese.

Vetëm ata e dinë se si arrijnë ta përballojnë një gjendje të tillë politike. Natyrisht, kjo më pak ka vlejt për Kasamin dhe Mexhitin, por funksionarët e tjerë të VLEN-it duket se nuk kanë lirinë e nevojshme për t’u angazhuar më fuqishëm në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të qytetarëve që përfaqësojnë.

Nga ana tjetër, te shqiptarët ekziston një perceptim negativ për VMRO-DPMNE-në, veçanërisht kur bëhet fjalë për trajtimin e tyre si qytetarë të barabartë të këtij shteti. Deri më tani nuk janë dëshmuar rezultate konkrete që do ta vërtetonin përcaktimin e kësaj partie për të qenë një parti shtetformuese, që përfaqëson të gjithë qytetarët.

Përkundrazi, me kontestimin e disa prej të drejtave dhe arritjeve të shqiptarëve, siç janë gjuha shqipe, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, parimi i Badinterit, decentralizimi dhe shumë të drejta të tjera, me këtë qasje po kthehemi drejt gjendjeve politike të së kaluarës. Kjo nuk është e mirë as për marrëdhëniet ndëretnike, as për stabilitetin dhe të ardhmen e shtetit.

Kjo politik e VMRO-DPMNE-së, e karakterizuar nga një qasje jokorrekte ndaj partnerit qeveritar VLEN dhe një qëndrim armiqësor ndaj opozitës shqiptare, përfshirë këtu kërcënimet dhe fyerjet ndaj liderëve të opozitës, po krijohet një atmosferë politike që mund të shkaktojë reagime të ngjashme dhe të thellojë pakënaqësinë te shqiptarët.

Rezultati në Bërvenicë duhet të jetë një paralajmërim serioz politik. Presionet ndaj partnerëve politikë, kërcënimet ndaj opozitës dhe nënçmimi i vullnetit politik të shqiptarëve nuk mund të jenë bazë për marrëdhënie të qëndrueshme politike.

VMRO-DPMNE duhet ta kuptojë se partneriteti nuk nënkupton nënshtrim dhe se bashkëpunimi nuk mund të ndërtohet pa respekt dhe barazi të ndërsjellë.

Në këtë kontekst, edhe VLEN-i duhet të dëshmojë më shumë pavarësi politike dhe qëndrueshmëri në përfaqësimin e interesave të qytetarëve që përfaqëson.

Bërvenica tregoi se marrëdhëniet politike nuk mund të ndërtohen vetëm mbi bazën e numrit të mandateve, por para së gjithash mbi bazën e besimit, respektit dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve.

Në fund, për të ardhmen e vendit janë po aq të rëndësishme edhe reformat e brendshme, fleksibiliteti dhe fqinjësia e mirë në marrëdhëniet me shtetet fqinje, si dhe hapat konkretë që do të ndërmarrë Qeveria për avancimin e procesit të integrimit dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Shteti nuk mund të ecë përpara pa barazi, partneritet i sinqertë, reforma dhe një perspektivë e qartë evropiane.