Aplikacionet e paralajmërimit për sulme ajrore në Ukrainë dhe Rusi u vunë në shënjestër të sulmeve kibernetike gjatë natës, në kohën kur armëpushimi i përkohshëm mes dy vendeve kishte marrë fund.
Forca Ajrore e Ukrainës ishte e para që njoftoi, përmes një mesazhi në “Telegram”, se aplikacioni “Air Alert” mund të ishte sulmuar. Ajo u bëri thirrje qytetarëve të ruanin qetësinë dhe të ndiqnin përditësimet në kanalin e saj, duke sqaruar se nuk kishte kërcënim radioaktiv.
Ndërhyrja u konfirmua më pas nga ekipi teknik i “Air Alert”. Sipas tij, persona të paautorizuar kishin ndikuar në funksionimin e aplikacionit, ndaj për arsye sigurie u çaktivizuan përkohësisht njoftimet push dhe u pezullua shërbimi.
Përgjegjësit e platformës thanë se të dhënat personale të përdoruesve nuk janë në rrezik, pasi aplikacioni nuk ruan informacione të tilla. Ata paralajmëruan qytetarët të mos hapin në asnjë rrethanë lidhje të përfshira në njoftime të dyshimta.
Një sulm kibernetik i konsiderueshëm u raportua edhe në Moskë, këtë herë ndaj aplikacionit celular të Ministrisë ruse për Situatat e Emergjencave. Sipas agjencisë RIA Novosti, autoritetet ruse njoftuan se pas incidentit qytetarët filluan të merrnin email-e me informacione të rreme.
Incidentet ndodhën pasi më 1 nëntor përfundoi armëpushimi i përkohshëm në rajonin e Khersonit, në lindje të Ukrainës. Kievi tha se Rusia kishte hedhur poshtë propozimin për ta zgjatur marrëveshjen.
Armëpushimi kishte nisur më 27 tetor, me ndërmjetësimin e Zonjës së Parë amerikane Melania Trump, dhe kishte bërë të mundur një mision humanitar në qytetin Oleshky, i cili ndodhet nën kontrollin rus.
Dmytro Lubinets, komisioneri për të drejtat e njeriut në Parlamentin ukrainas, deklaroi se armëpushimi në fuqi nga 27 tetori deri më 1 nëntor kishte përfunduar. Ai e përshkroi pauzën si një hap të rëndësishëm për përpjekjet e përbashkëta humanitare të dy vendeve.
Moska nuk ka njoftuar deri tani se kë konsideron përgjegjës për sulmin ndaj aplikacionit të saj. Ndërsa qendra ukrainase për komunikimin strategjik SPRAVDI ia ka atribuuar Rusisë sulmin ndaj aplikacionit ukrainas.
Gjatë këtij muaji pritet të rinisin bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, pas një periudhe kur negociatat kishin mbetur praktikisht të ngrira.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Kievi mund t’i ndërpresë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, siç ka kërkuar presidenti amerikan Donald Trump, nëse Uashingtoni e furnizon Ukrainën me raketa të fuqishme interceptuese Patriot.
Sulmet e fundit kibernetike tregojnë se përplasja mes dy vendeve vazhdon edhe jashtë fushëbetejës, përfshirë hapësirën digjitale, edhe kur luftimet pezullohen përkohësisht.



