Hungaria ka nisur publikimin e dhjetëra mijëra dosjeve sekrete të shërbimeve të inteligjencës të periudhës komuniste, duke i bërë ato të aksesueshme për publikun përmes një baze të dhënash online.
Dokumentet zbulojnë rrjetin e gjerë të informatorëve dhe agjentëve që për dekada kanë spiunuar qytetarët në shërbim të regjimit komunist.
Publikimi nisi sot, më 4 nëntor 2026, në një datë simbolike, që përkon me 70-vjetorin e ndërhyrjes së tankeve sovjetike në Budapest, më 4 nëntor 1956, për të shtypur kryengritjen hungareze që kishte nisur më 23 tetor të po atij viti.
Kryeministri hungarez, Peter Magyar, e cilësoi këtë vendim si përmbushje të një premtimi të rëndësishëm, duke deklaruar se pas më shumë se 36 vitesh nga rënia e komunizmit, vendi po bën një hap drejt transparencës dhe përballjes me të kaluarën.
“Po zbatojmë tani, pas 36 vitesh, premtimin për ndryshimin e regjimit”, deklaroi Magyar, duke bërë të ditur se rreth 60 mijë emra janë tashmë të aksesueshëm për publikun.
Një pjesë tjetër e dokumenteve pritet të publikohet në shkurt të vitit 2027. Megjithatë, arkivat nuk janë të plota, pasi shumë dosje janë shkatërruar gjatë kryengritjes së vitit 1956, si dhe në periudhën 1988-1989, në prag të rënies së regjimit komunist.
Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve që ta trajtojnë me kujdes dhe dinjitet publikimin e dokumenteve, duke paralajmëruar se informacionet mund të jenë të vështira për t’u përballuar nga familjet e personave të përfshirë.
“U kërkoj të gjithëve ta trajtojnë këtë publikim të vonuar të arkivave me dinjitet dhe humanizëm, pasi shumë familje tani do të përballen me informacione të vështira që lidhen me një anëtar të ndjerë. Është e pamundur të përballesh me një traumë pa diskutime dhe pyetje”, u shpreh ai.
Deri më tani, qasja në këto dokumente ishte e kufizuar. Përveç studiuesve, qytetarët mund të kërkonin informacion vetëm për dosjet e tyre ose të të afërmve të ngushtë. Me vendimin e ri, çdo person do të mund të kërkojë në arkivat e shërbimeve sekrete përmes platformës online.
Gjatë Luftës së Ftohtë, shërbimet sekrete në vendet e Evropës Lindore, përfshirë Hungarinë dhe Gjermaninë Lindore, mbështeteshin në një rrjet të gjerë informatorësh, të cilët rekrutoheshin përmes shantazhit, kërcënimeve ose shpërblimeve.
Në Hungari, nga viti 1956 deri në vitin 1989, janë regjistruar rreth 55 mijë informatorë sekretë. Ata mbikëqyrnin miqtë, familjarët, fqinjët dhe kolegët e tyre, duke raportuar çdo shenjë të qëndrimeve kundër regjimit apo ndikimit perëndimor. Informacionet e mbledhura shpesh përdoreshin për arrestime dhe marrje në pyetje.
Një pjesë e takimeve sekrete zhvillohej në apartamente në qendër të Budapestit, të njohura si “apartamentet K”, të cilat shërbenin si vende takimi mes agjentëve të policisë sekrete dhe informatorëve.
Dosjet administrohen nga Arkivi Historik i Sigurisë Shtetërore Hungareze dhe përmbajnë emrat e rreth 50-60 mijë bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete të regjimit komunist.
Ndryshe nga Hungaria, vendet e tjera të ish-bllokut komunist kanë ndjekur një qasje më të kufizuar për publikimin e arkivave. Polonia i ka hapur dokumentet prej kohësh, por nuk lejon kërkime të pakufizuara. Gjermania ka vendosur kufizime për aksesin në dosjet e Stasit, ndërsa Republika Çeke nuk i ka publikuar të gjitha dokumentet në një bazë të dhënash online.
Autoritetet hungareze theksojnë se transparenca dhe njohja e së kaluarës janë kushte thelbësore për funksionimin e një shteti demokratik. Megjithatë, disa të dhëna personale të ndjeshme do të mbeten të mbrojtura, përfshirë informacionet mjekësore, të dhënat mbi varësitë dhe orientimin seksual.



