Dardan Krasniqi kritikon ashpër Albin Kurtin: “Ka prodhuar më shumë zhgënjim sesa shpresë”

Dardan Krasniqi ka reaguar me tone të ashpra ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke e akuzuar për zhgënjim dhe përçarje në skenën politike shqiptare.

Në një postim publik, Krasniqi shprehet se, pavarësisht kritikave apo etiketimeve që mund t’i bëhen, ai qëndron i bindur në vlerësimin e tij për Kurtin. Sipas tij, kryeministri “ka prodhuar më shumë zhgënjim sesa shpresë dhe më shumë ndarje sesa bashkim”, duke shtuar se politikat e tij kanë ndikuar negativisht në raportet mes shqiptarëve.

Krasniqi gjithashtu e akuzon Kurtin për qasje të gabuar në raport me çështjet kombëtare dhe ekonomike, duke përmendur, sipas tij, forcimin e ndikimit serb në sektorin energjetik, tensionet me Shqipërinë dhe neglizhimin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe në Maqedoninë e Veriut.

Ai thekson se këto zhvillime i shkaktojnë zhgënjim të thellë, duke kujtuar se më parë kishte qenë mbështetës i Kurtit dhe i gatshëm të qëndronte në krah të tij në periudha të vështira.

Në fund të reagimit, Krasniqi nënvizon se ai mbetet besnik ndaj parimeve të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa për Kurtin përdor një gjuhë të ashpër duke e quajtur “mashtrues”.

“Koha tregon gjithçka edhe për mua, edhe për të”, përfundon Krasniqi në reagimin e tij.

Postimi i plotë:

Mund të mos pajtoheni me mua. Mund të mendoni se jam i njëanshëm, i nxitur nga emocioni apo edhe i padrejtë në vlerësim. Mund të më etiketoni si të doni.
Po, mund të më quani çfarë të doni nga i zhgënjyer deri te armik.Nuk është hera e parë që etiketat përdoren për të shmangur të vërtetën.

Por unë e them me bindje: në historinë politike të këtij brezi shqiptarësh, Albin Kurti ka prodhuar më shumë zhgënjim sesa shpresë, dhe më shumë ndarje sesa bashkim. I ka ba shqiptarët armiq! Serbinë e ka harruar, Mafinë energjetike serbe e forcon, me Shqipërinë armiqësi, Shqiptarët ne Luginë e Maqedoni i ka bërë paqavër! Privatizim, vjedhje e kapje!

Kjo më dhemb, sepse kam qenë ndër ata që kam besuar dhe kam qenë i gatshëm të qëndroj në krah të tij në momentet më të vështira.

Koha tregon gjithçka edhe për mua, edhe për të.
Unë mbetëm me parime VETËVENDOSJE!
Ky mbetët mashtrues!

By admin7