BBC zbulon rrjetin e apartamenteve të Jeffrey Epstein në Londër: I strehonte viktimat e abuzimit aty

Një hetim i BBC ka zbuluar se financieri i dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein, përdorte të paktën katër apartamente me qira në Londër për të strehuar gra që më vonë u identifikuan si viktima të abuzimit dhe trafikimit seksual.

Sipas dokumenteve të përfshira në dosjet e Epstein, përfshirë fatura, e-maile dhe të dhëna bankare, apartamentet ndodheshin në zonat e pasura të Kensington dhe Chelsea. Të paktën gjashtë gra që jetuan në këto prona kanë dalë publikisht si viktima të tij.

Hetimi tregon se disa prej grave, kryesisht nga Rusia dhe Evropa Lindore, u sollën në Mbretërinë e Bashkuar edhe pasi Policia Metropolitane vendosi në vitin 2015 të mos hapte hetim ndaj pretendimeve për trafikim të ngritura nga Virginia Giuffre.

Dokumentet zbulojnë gjithashtu se disa prej viktimave detyroheshin të rekrutonin gra të tjera dhe transportoheshin rregullisht midis Londrës dhe Parisit, shpesh përmes trenit Eurostar.

Nga viti 2011 deri në 2019, Epstein kishte blerë të paktën 53 bileta për gra të reja që udhëtonin mes Britanisë dhe Francës.

BBC zbuloi se aktiviteti i Epstein në Mbretërinë e Bashkuar ishte më i gjerë sesa mendohej më parë, duke përfshirë strehim të organizuar, financim të jetesës dhe studimeve për disa gra, si dhe një rrjet transporti ndërkombëtar.

Ekspertë dhe ish-zyrtarë kanë kritikuar autoritetet britanike për mungesë veprimi. Avokatja e të drejtave të njeriut Tessa Gregory deklaroi se kishte “akuza të besueshme për trafikim njerëzor” që kërkonin hetim të menjëhershëm dhe të pavarur. Ndërkohë, ish-zyrtari i lartë i policisë Kevin Hyland tha se u humbën mundësi të qarta për të hetuar rastin.

By admin5