Ndërsa bota pret një raund të ri bisedimesh midis Uashingtonit dhe Teheranit, çmimet e naftës u rritën përsëri të enjten, duke qëndruar në më shumë se 100 dollarë për fuçi.
Ngërçi po pengon pothuajse të gjitha eksportet përmes Ngushticës jetësore të Hormuzit, përmes së cilës kalon 20% e naftës së tregtuar në botë në kohë paqeje.
Në vitin që i parapriu sulmit amerikano-izraelit ndaj Iranit, çmimet në pompa kishin rënë ndjeshëm në pjesën më të madhe të BE-së, por tronditja e shkaktuar nga bllokada i ka rritur ato në mënyrë marramendëse .
Sa saktësisht janë rritur çmimet e karburantit në Evropë?
Përgjigja vjen nga Eurostat , i cili publikoi ndryshimet e çmimeve midis shkurtit dhe marsit 2026.
Pas fillimit të operacionit ushtarak më 28 shkurt, karburanti u rrit me rreth 13.5% në të gjithë BE-në.
Çmimet u rritën më shumë në Kosovë, Letoni dhe Suedi, të cilat raportuan një rritje të përgjithshme të çmimit të karburantit prej më shumë se 20% nga shkurti në mars.
Shoferët e veturave me naftë u goditën më rëndë, duke shpenzuar tani gati 19.1% më shumë në pompë krahasuar me 10.6% për veturat me benzinë.
Benzinë vs naftë: Vendet më të këqija dhe më të mira për t’u furnizuar me karburant
Shoferët çekë dhe suedezë të veturave me naftë po e kalojnë kohën më të vështirë në BE, duke përjetuar rritje prej rreth 27.6%, të ndjekur nga pronarët e veturave me naftë në Estoni (+26.8%), Letoni (+25.4%), Belgjikë (+25.2%) dhe Holandë (+25.1%).
Të gjitha vendet e tjera të BE-së panë rritje mbi 10% për naftën, përveç Sllovenisë (+2.9%), Sllovakisë dhe Hungarisë (të dyja +7.0%), të cilat nuk u goditën aq rëndë.
Kur bëhet fjalë për benzinë, shoferët belgë, suedezë, austriakë dhe çekë shpenzojnë të gjithë rreth 15% më shumë, ndërsa, përsëri, Sllovenia, Sllovakia dhe Hungaria qëndruan nën 5%, kësaj here të bashkuar nga Italia.
Vit pas viti: A janë konsumatorët britanikë më të goditur se në BE?
Në përgjithësi, ndikimi u ndje edhe më fort përtej Kanalit.
Krahasuar me marsin e vitit 2025, çmimet e naftës në Mbretërinë e Bashkuar u rritën me 26%, ndërsa benzina u rrit me rreth 11%, sipas të dhënave të Departamentit Britanik për Sigurinë e Energjisë dhe Fuel Watch të RAC, me një rritje të përgjithshme të karburantit prej gati 19%.
Nga viti në vit, vendi më i prekur në BE ishte Gjermania, sipas Eurostat, ku kostot u rritën me 19.8%.
Rumania pa një rritje të ngjashme me 19.6%.
Kishte vetëm dy përjashtime në BE: me -2.7%, Hungaria (një nga importuesit më të mëdhenj të naftës ruse në bllok ) dhe Sllovenia (-5.9%), pasi vendi ka kufizuar kostot e karburantit përveç në autostrada, njoftoi Joze Damijan, profesor i ekonomisë ndërkombëtare në Universitetin e Lubjanës.
Ndryshe, Javën e ardhshme, BE pritet të përcaktojë rregulla që u lejojnë shteteve anëtare të lehtësojnë ndihmën shtetërore në një përpjekje për të lehtësuar presionin mbi konsumatorët ndërsa lufta vazhdon.

