Në një objekt gastronomik në lagjen Aerodrom të Shkupit, ku operon edhe një kënd lojërash, ka ndodhur një incident i rëndë ku një fëmijë 10-vjeçar ka denoncuar sjellje të papërshtatshme nga një punonjës.
Fëmija, i cili ndodhej në këndin e lojërave, kishte shkuar i vetëm te banaku për të kërkuar ujë, moment kur kamarieri ka nisur komunikimin me të.
Sipas informacioneve të “A1on”, biseda është shndërruar në një situatë shqetësuese, ku punonjësi dyshohet se e ka përqafuar fëmijën dhe i ka drejtuar kërkesa të pahijshme të natyrës seksuale. Fillimisht, ai i ka kërkuar fëmijës të tregonte organin gjenital, e më pas i ka propozuar të shkonin së bashku në tualet që t’ia tregonte ai të tijin.
Fëmija ka ikur menjëherë te prindi që ndodhej aty pranë, dhe rasti është denoncuar menjëherë në polici dhe në Prokurorinë Publike. Prindi pohon se fëmija e ka identifikuar personin, ndërsa pas këqyrjes së kamerave të sigurisë, sipas pretendimeve të tyre, shihet qartë kontakti fizik.
I dyshuari, siç deklaron prindi për “A1on”, ka pranuar se komunikimi ishte “si shaka”, por ky shpjegim nuk e zbut seriozitetin e akuzave. Pas ngjarjes, fëmija është dërguar për bisedë me psikologun, ku ka shfaqur shenja ankthi dhe traume.
Prindërit theksojnë se objekti frekuentohet shpesh nga fëmijët për shkak të këndit të lojërave dhe apelojnë te opinioni për vigjilencë dhe mbikëqyrje të shtuar. Ata po ashtu kërkojnë që institucionet ta zbardhin plotësisht rastin dhe të veprojnë sipas ligjit.

