Bugaqku: Gjuha e ashpër para fushatës po tensionon situatën politike, mungon edhe baza ligjore për sanksionim

Teksa po afrohet nisja zyrtare e fushatës zgjedhore, përplasjet verbale mes partive politike janë shtuar në tubimet me qytetarë dhe në rrjetet sociale. Sipas hulumtuesit të lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, gjuha e tillë rrezikon të tensionojë klimën politike dhe të largojë vëmendjen nga programet zgjedhore. Ai e përmendi edhe çështjen e mungesës ligjore për të dënuar një gjuhë të tillë.

Bugaqku në një intervistë për Ekonomia Online tha se sjelljet e tilla nga partitë politike janë të papranueshme.

Reklame

“Kjo në vetvete i lëndon dhe i cenon parimet demokratike të një procesi zgjedhor të drejtë dhe demokratik, tek e fundit. Prandaj, çfarëdo gjuhë e papërshtatshme që përdoret, qoftë në kuadër të fushatës zgjedhore, por edhe para fushatës kur jemi në prag të procesit zgjedhor, mund të tensionojë situatën politike. Kjo mund të bëjë që gara zgjedhore të mos bëhet mbi bazën e ideve dhe programeve, por mbi bazën e linçimeve, etiketimeve dhe sulmeve brutale. Këto sulme mund të bëhen ndaj një grupi të caktuar politik që përfaqëson një entitet të caktuar, në këtë rast etnik, apo edhe ndaj një kategorie të kandidatëve që përfaqësojnë një gjini ose grup të caktuar. Për ne, këto janë sjellje të papranueshme”, tha ai.

Sipas Bugaqkut, aktualisht ekziston një boshllëk ligjor, pasi legjislacioni zgjedhor nuk parasheh sanksione për gjuhën e përdorur para nisjes zyrtare të fushatës.

“Unë mendoj se këtu ka një problem ligjor, sepse Ligji i Zgjedhjeve të Përgjithshme dhe rregullat e KQZ-së nuk e sanksionojnë përdorimin e gjuhës së tillë para fushatës zgjedhore. Pra, partitë politike po mbajnë tubime, takime dhe aktivitete në terren, ku eksponentë të tyre përdorin gjuhë të papërshtatshme, por juridikisht nuk mund të penalizohen sepse nuk jemi ende zyrtarisht në periudhë zgjedhore. Rregullativa zgjedhore thekson që ndëshkimet ndaj subjekteve politike, kandidatëve dhe mbështetësve të tyre mund të realizohen vetëm brenda periudhës zyrtare të fushatës. Për këtë arsye, në këtë fazë është e pamundur në kuptimin ligjor që të parashtrohen ankesa në PZAP dhe të ndëshkohen kandidatët apo mbështetësit për gjuhën e tyre. Në të ardhmen, besoj që duhet të ndryshohet Ligji për Zgjedhjet”, u shpreh Bugaqku.

Ai shtoi se duhet të ketë ndryshime ligjore që do të mundësonin penalizimin edhe të sjelljeve dhe gjuhës së përdorur në periudhën jozyrtare të fushatës.

“Duhet të rregullohen qartë të gjitha sjelljet e partive politike dhe të kufizohen periudhat kohore se kur realisht mund të cilësohet si fushatë zgjedhore. Duhet lënë mundësia që ligji të parashikojë ankesa dhe penalitete edhe për periudhën jozyrtare, për ata që fillojnë garën dhe sulmet më herët. Në kuptimin e sjelljes etike, kjo është e papranueshme. Nuk ka ligj apo normë juridike që mund të normojë fjalët e njerëzve sa herë që ata dalin publikisht, por kjo nuk është etike dhe njerëzore. Përdorimi i formulimeve apo frazimeve që përmbajnë denigrim ndaj rivalëve tregon mungesë etike, pasi kandidatët duhet të japin një shembull të mirë. Ata duhet të jenë model për qytetarët se si ndërtohet dhe implementohet një platformë politike nesër, kur të fitojnë zgjedhjet dhe të qeverisin vendin”, thotë tutje ai.

Duke folur për atë se çfarë duhet të dominojë gjatë fushatës zyrtare, Bugaqku tha se partitë duhet të fokusohen në programe konkrete dhe debate për çështje me interes publik.

“Normalisht që fokusi duhet të jenë programet politike. Duhet të jenë premtimet që kanë të bëjnë me programe të zbatueshme, që japin ide inovative për zhvillimin ekonomik, arsimin, fuqizimin e drejtësisë, ekonominë dhe fuqizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare me aleatët. Por aktualisht, jemi në një kohë kur nuk po shohim programe të mirëfillta të partive politike. Nuk po shohim as debate të mirëfillta që shpërfaqin ide dhe koncepte se si të përmirësohet gjendja në Republikën e Kosovës. Megjithatë, meqenëse ende nuk kemi hyrë zyrtarisht në fushatë, po presim që në ditët në vijim subjektet të dalin dhe të prezantojnë platformat e tyre të veçanta për fusha të caktuara”, shton Bugaqku.

Ndërkohë, gjatë kësaj jave, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, në një takim me qytetarë iu referua ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me termin “frizerka”, deklaratë që nxiti reagime nga kandidatë të partive politike, por edhe nga vetë Osmani.

Por, rreth kësaj reagoi vet Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, duke thënë se nuk e ka ofenduar Osmanin, por sipas tij “një pseudogazetar e ndërpreu dhe e përdori termin ‘frizere”./EO/

By admin2