Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanoska, ka akuzuar VLEN-in se në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Komunën e Bërvenicës ka vepruar në favor të kandidatit të AKI-së, duke shpërndarë votat në dëm të kandidatit të mbështetur nga VMRO-DPMNE, transmeton Zyrtare.
Në një paraqitje në edicionin qendror të lajmeve në televizionin Sitel, drejtpërdrejt nga Bërvenica, Stojanoska tha se VLEN nuk arriti të dëshmojë dallimin politik nga BDI-ja, pasi në raundin e dytë vendosi t’i bashkohet kandidatit të AKI-së.
“Na vjen keq që VLEN nuk e shfrytëzoi këtë mundësi për të treguar se është ndryshe nga BDI-ja. Mendoj se luajti rolin e kalit të Trojës dhe veproi për BDI-në, përkatësisht i shpërndau votat nga baza zgjedhore”, deklaroi Stojanoska.
Ajo gjithashtu vlerësoi se zgjedhjet lokale në Bërvenicë nuk përbëjnë test për koalicionin qeveritar, por se testi i vërtetë është realizimi i programit të Qeverisë.



