Sot në Kosovë po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të tretat brenda vetëm 16 muajsh. Ky cikël i shpeshtë zgjedhor pasqyron vazhdimësinë e paqëndrueshmërisë politike dhe vështirësitë e sistemit politik për të prodhuar shumica stabile dhe afatgjata qeverisëse, shkruan FaktiDitor.mk
Një nga fenomenet më të dukshme të procesit të sotëm zgjedhor është niveli dukshëm më i ulët i pjesëmarrjes së qytetarëve krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025. Megjithëse shpjegimi i këtij trendi kërkon një analizë më të thelluar, frekuenca e lartë e zgjedhjeve mbetet ndër faktorët kryesorë që mund të kenë ndikuar në uljen e mobilizimit elektoral.
Të dhënat e pjesëmarrjes deri në orën 13:00 tregojnë se dalja e votuesve në zgjedhjet e sotme është 2.73 përqind më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025. Ky dallim, ndonëse jo dramatik, sugjeron një interes më të zbehtë të elektoratit në fazën e hershme të procesit të votimit.

Rënia bëhet edhe më e dukshme në të dhënat e publikuara deri në orën 15:00. Krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare, pjesëmarrja e votuesve është më e ulët për 6.3 përqind, duke sinjalizuar një tendencë më të qartë të tkurrjes së mobilizimit elektoral. Deri në ora 15 kanë votuar 140 mijë e 13 votues më pak në krahasim me zgjedhjet e 28 dhejtorit.

Të dhënat e deritanishme sugjerojnë se zgjedhjet e sotme po zhvillohen në një klimë të pjesëmarrjes më të ulët qytetare sesa ajo e regjistruar në fund të vitit 2025, duke hapur debat mbi efektet që paqëndrueshmëria politike dhe zgjedhjet e shpeshta kanë mbi angazhimin demokratik të qytetarëve./FaktiDitor.mk

