Mickoski zbulon planin: Qendra Klinike e re do të ndërtohet pranë “Boris Trajkovskit”, lidhet me tunel me “8 Shtatorin”

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka konfirmuar se Qeveria mbetet në qëndrimin që Qendra e re Klinike në Shkup të ndërtohet në pllajën përpara pishinës “Boris Trajkovski”, duke e cilësuar këtë si zgjidhjen më të mirë për sistemin shëndetësor të vendit.

Gjatë një brifingu me gazetarët, Mickoski bëri të ditur se parcela ku planifikohet ndërtimi është në pronësi private dhe se aktualisht po zhvillohen negociata me pronarin për një shkëmbim të mundshëm të tokës.

“Përfundimisht mbesim në qëndrimin se Spitali Klinik në Shkup duhet të ndërtohet në pllajën përpara pishinës ‘Boris Trajkovski’. Po negociojmë me pronarin privat dhe duam të krijojmë kushte që objekti i ri të lidhet me një tunel nëntokësor me Spitalin aktual ‘8 Shtatori’”, deklaroi Mickoski.

Sipas tij, projekti synon të krijojë një kompleks të integruar shëndetësor, duke përfshirë edhe objektet ekzistuese mjekësore në atë zonë. Kryeministri tha se deri tani është i kënaqur me rrjedhën e negociatave për sigurimin e tokës.

Mickoski njoftoi gjithashtu se paralelisht po vazhdojnë investimet edhe në projekte të tjera të rëndësishme shëndetësore në vend, përfshirë ndërtimin e Spitalit Klinik në Shtip, Fakultetit të Mjekësisë dhe konviktit të studentëve, si dhe realizimin e projekteve për Spitalin Klinik në Tetovë dhe Qendrën Shëndetësore me veprimtari të zgjeruar në Kërçovë.

By admin