Zvicra mund të ëndërrojë për trofeun më të madh të futbollit botëror, por matematika tregon një realitet shumë më të ashpër. Sipas një analize të bazuar në një milion simulime kompjuterike, helvetikët kanë vetëm 1.16 për qind shanse për t’u shpallur kampionë të botës.
Matematikani zviceran Jonas Bächinger, bashkëthemelues i kompanisë Everon, ka simuluar të gjithë turneun e Kupës së Botës përmes metodës Monte Karlo, duke analizuar çdo ndeshje dhe çdo fazë sipas rregullave të FIFA-s.

Rezultatet tregojnë se Zvicra ka 92 për qind gjasa të kalojë fazën e grupeve, pasi ndodhet në grupin më të lehtë të turneut së bashku me Katarin, Bosnjën dhe Kanadanë. Megjithatë, rruga drejt trofeut bëhet shumë më e vështirë në fazat me eliminim direkt.
Sipas simulimeve, kundërshtari më i mundshëm i Zvicrës në 1/16 e finales është Portugalia, më pas Argjentina në çerekfinale, Anglia në gjysmëfinale dhe Spanja në finale.
Ndërkohë, favoritja kryesore për të fituar Kupën e Botës sipas modelit matematikor është Spanja me 16 për qind shanse, e ndjekur nga Franca me 15.5 për qind dhe Anglia me 12.5 për qind.
Kampionia në fuqi, Argjentina, ka vetëm 8.2 për qind gjasa për ta mbrojtur titullin, ndërsa Gjermania dhe Brazili renditen edhe më poshtë.
Megjithatë, pavarësisht shifrave të ftohta të matematikës, tifozët zviceranë vazhdojnë të besojnë se ekipi i udhëhequr nga Granit Xhaka mund të shkruajë historinë dhe të realizojë një nga surprizat më të mëdha në historinë e Kupës së Botës. /Faktiditor.info/

