LSDM akuzon Mickoskin: Po kopjon Vuçiqin, zgjedhjet e parakohshme synojnë të fshehin dështimet e qeverisë

Partia opozitare LSDM ka akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski se po ndjek skenarin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq duke paralajmëruar zgjedhje të parakohshme për të larguar vëmendjen nga problemet ekonomike dhe, sipas tyre, nga “arka e zbrazët e shtetit”.

Në reagimin e LSDM-së thuhet se qeveria ka dështuar në pothuajse çdo sektor, ndërsa qytetarët përballen me standard më të ulët jetese, paga të pamjaftueshme, rritje të varfërisë dhe borxhe në rritje. Sipas opozitës, investimet e huaja kanë rënë ndjeshëm, inflacioni mbetet i lartë dhe ekonomia po shënon përkeqësim të vazhdueshëm.

LSDM pretendon se paralajmërimi për zgjedhje vjen menjëherë pasi Vuçiq foli për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi brenda tre deri në katër muajve të ardhshëm, duke shtuar se Mickoski po përpiqet të harmonizojë afatet për shkak të periudhës 100-ditore të qeverisë teknike në Maqedoninë e Veriut.

Nga partia opozitare theksojnë se nuk do t’i japin kryeministrit “alibi” për të mbuluar, siç thonë ata, pasojat e politikave të gabuara, korrupsionit dhe keqqeverisjes. Ata vlerësojnë se zgjedhjet do të mbahen, por se kjo nuk do ta shpëtojë qeverinë nga përgjegjësia politike për gjendjen aktuale në vend.

LSDM gjithashtu ngriti dyshime mbi rolin e partive të tjera opozitare, duke pretenduar se mbetet të shihet se cili “satelit” i VMRO-DPMNE do të paraqitet si opozitë e rreme për të kërkuar zgjedhje të parakohshme.

By admin