Kancelari gjerman Friedrich Merz i ka bërë një paralajmërim të drejtpërdrejtë administratës së presidentit amerikan Donald Trump, duke kërkuar që Shtetet e Bashkuara të mos ndërhyjnë në proceset zgjedhore në Gjermani.
Reagimi i Merz vjen pasi Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli një program grantesh me vlerë deri në 3 milionë dollarë për organizata joqeveritare, institute kërkimore dhe individë në Evropë.
Sipas njoftimit zyrtar, fondet do të mbështesin iniciativa që lidhen me sovranitetin kombëtar, migracionin, lirinë e shprehjes, shtetin ligjor dhe vlera të tjera të përbashkëta perëndimore. Megjithatë, programi ka ngjallur debat në disa vende evropiane, ku është ngritur shqetësimi se financimet mund të përdoren për të ndikuar në politikën e brendshme dhe proceset zgjedhore.
Në një konferencë për shtyp në Berlin, Merz theksoi se Gjermania nuk ndërhyn në zgjedhjet amerikane dhe pret të njëjtin respekt nga Uashingtoni.
“Ne nga ana jonë nuk ndërhyjmë në zgjedhjet amerikane. Në të kundërt, nuk dua që qeveria amerikane apo institucione pranë saj të ndërhyjnë në zgjedhjet gjermane”, deklaroi kancelari.
Ai rikujtoi gjithashtu se ligji gjerman ndalon financimin e partive politike nga burime të huaja, duke nënvizuar se pavarësia e proceseve demokratike duhet të respektohet.
Debati është intensifikuar pas pretendimeve të disa ish-zyrtarëve amerikanë se skema e re e financimit mund të favorizojë forcat politike të djathta në Evropë, veçanërisht në prag të zgjedhjeve në disa vende.
Nga ana tjetër, Departamenti Amerikan i Shtetit ka hedhur poshtë këto akuza, duke sqaruar se fondet nuk janë të destinuara për partitë politike.
“Programet tona në Evropë kanë për qëllim vetëm mbështetjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit ligjor. Këto fonde nuk janë të disponueshme për partitë politike”, deklaroi një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.



