BE-ja i dërgon sinjal Serbisë pas kthimit të Mlladiqit: Ajo që do të ndodhë në ditët në vijim do të jetë provë

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka paralajmëruar se zhvillimet e fundit në Serbi mund të ndikojnë në mënyrën se si shtetet anëtare të Bashkimit Evropian e vlerësojnë rrugën e këtij vendi drejt anëtarësimit në BE.

Duke folur sot në Dublin, pas mbërritjes në takimin joformal të ministrave të BE-së për çështjet evropiane, Kos tha se Brukseli po i ndjek nga afër zhvillimet në Serbi.

“Shumë gjëra po ndodhin në Serbi për momentin, ne po i ndjekim të gjitha dhe të gjitha mund të ndikojnë në mënyrën se si shtetet anëtare e vlerësojnë Serbinë”, deklaroi ajo.

Kos theksoi se procesi i integrimit evropian të Serbisë nuk lidhet vetëm me aspektet teknike të negociatave, por edhe me respektimin e vlerave evropiane, si dhe përafrimin me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë së BE-së.

Në këtë kontekst, ajo veçoi edhe kthimin në Beograd të eshtrave të ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpska, Ratko Mlladiq, i dënuar përfundimisht për gjenocid dhe krime të tjera lufte.

“Kthimi i eshtrave të Ratko Mlladiqit dhe ajo që do të ndodhë në ditët në vijim do të jetë një provë shumë e rëndësishme”, tha Kos.

By admin7