Vuçiq e bën temë zgjedhore Hagën: Thaçi do të lirohet nga akuzat për krime, do të dënohet vetëm për pengim drejtësie

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, në një intervistë për “informer tv” ka folur përsëri për Gjykatën Speciale dhe për vendimin që pretendon se Haga do të marrë për ish-presidentin Hashim Thaçi.

Vuçiq i cili e ka kthyer temën e Hagës në pjesë të fushatës zgjedhore, ka thënë se në bazë të informacioneve të “siguruara nga kanalet e inteligjencës”, Hashim Thaçi, do të shpallet i pafajshëm për akuzat për krime lufte dhe se do të dënohet vetëm për aktakuzën e dytë për ndërhyrje në drejtësi.

“E mora këtë përmes kanaleve të inteligjencës…Mora informacion se do t’i japin Hashim Thaçit një dënim që mbulon kohën që ka kaluar në paraburgim, kështu që ai do të dënohet për shpërfillje të gjykatës, ndërsa nuk do të ketë asgjë në lidhje me krimet kundër serbëve”, ka thënë presidenti serb.