Përderisa në Prishtinë sot do të mbahet “Marshi për Liri”, mërgimtarët nga Sllovenia do të mblidhen nesër për të organizuar protestë në heshtje në shenjë solidariteti ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Organizatori i kësaj proteste, Egzon Shabani në emsionin “Weekend” në Klan Kosova tha se një aktivitet i tillë kishte munguar, andaj mori iniciativën për thirrjen e kësaj proteste.
“Në fakt interesimi ka qenë shumë i madh, e kam parë të nevojshme dhe mërgimtarët e kanë pritur në Slloveni këtë organizim, e kanë mirëpritur shumë për shkak se ka qenë e munguar me sa e kam parë e kam vërejtur unë tek ta, se ka qenë një një aktivitet i munguar dhe kanë shprehur të gjithë vullnetin dhe dëshirën të marrin pjesë sa më shumë në këtë aktivitet”, tha fillimisht Shabani.
Shabani tha se numri i mërgimtarëve që po konfirmojnë pjesëmarrjen në protestën atje po shtohet çdo ditë e më shumë.
“Po numri numri po rritet çdo ditë.Interesimi është shumë i madh. Mund me thënë që kam qindra telefonata gjatë ditës që e konfirmojnë pjesëmarrjen e tyre dhe pres që do të jetë me të vërtetë një aktivitet shumë i madh dhe një protestë shumë e madhe. Do të mblidhemi për një protestë në heshtje, me respekt dhe dinjitet për të shprehur solidaritetin tonë”, tha tutje ai.



