PLD: Mickoski i promovoi, policia nuk i njeh!

Partia Liberal-Demokratike (PLD) ka akuzuar Qeverinë për mungesë koordinimi dhe keqpërdorim të parave publike në promovimin e aplikacionit „m.Uslugi“, pasi dokumentet digjitale të prezantuara nga kryeministri Hristijan Mickoski nuk mund të përdoren gjatë kontrolleve policore.

Nga PLD-ja pyesin se sa ka kushtuar ky projekt dhe promovimi i tij, si dhe kush do të mbajë përgjegjësi për atë që e cilësojnë si dështim të koordinimit institucional.

„Kë po tallni dhe kujt inteligjence po i tallni, kur brenda vetëm 24 orëve vetë po i demaskoni deklaratat tuaja? Çfarë po bëni në seancat qeveritare? A kanë ministrat ndonjë ide se çfarë po bëjnë departamentet e tjera, apo nuk janë fare të interesuar?“, thuhet në reagimin e PLD-së.

Sipas kësaj partie, më 28 tetor kryeministri Hristijan Mickoski promovoi aplikacionin „m.Uslugi“, duke premtuar se qytetarët do të mund t’i përdorin dokumentet personale në mënyrë digjitale, përmes telefonave celularë.

Por, vetëm një ditë më vonë, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, njoftoi se letërnjoftimi dhe patentë-shoferi në formë digjitale ende nuk mund të përdoren gjatë kontrolleve policore, për shkak se institucionet dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk janë të përgatitura për zbatimin e plotë të këtij sistemi.

PLD-ja kërkon përgjigje publike për tri çështje kryesore: sa para publike janë shpenzuar për promovimin e aplikacionit, kush mban përgjegjësi për mungesën e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe nëse dikush do të japë llogari për këtë situatë.

„A po i luan dikush qëllimisht lojë kryeministrit brenda partisë së tij? Një ditë thuhet një gjë, ditën tjetër diçka krejt tjetër, dhe kjo po ndodh për çështje që duhej të ishin të qarta“, theksojnë nga PLD-ja.

Në fund, kjo parti kërkon llogaridhënie të menjëhershme, duke vlerësuar se qytetarët meritojnë institucione funksionale dhe shërbime digjitale që mund të përdoren në praktikë, e jo vetëm projekte që promovohen përmes fushatave mediatike.

Vjedhje spektakolare: Hajduti vjedh Bugatti Chiron 3 milionë eurosh!