Ishte nisur drejt Mekës, sauditët shkatërrojnë dronin: U lëshua nga Huthit në Jemen

Tensionet mes Arabisë Saudite dhe rebelëve Houthi në Jemen janë përshkallëzuar, pas njoftimit të koalicionit të udhëhequr nga Riadi se ka interceptuar dhe shkatërruar një dron, i cili dyshohet të ishte nisur drejt Mekës.

Sipas zëdhënësit të koalicionit, Turki al-Maliki, mjeti fluturues pa pilot u godit dhe u shkatërrua në ajër, përpara se të arrinte objektivin e tij.

Autoritetet saudite këmbëngulin se droni ishte lëshuar nga rebelët Houthi dhe kishte në shënjestër një nga rajonet më të rëndësishme të vendit.

Megjithatë, ky pretendim është hedhur poshtë kategorikisht nga rebelët. Zëdhënësi i Houthive, Yahya Saree, deklaroi se grupi nuk kishte kryer asnjë operacion ushtarak kundër territorit saudit gjatë ditës së sotme, dhe komentet për pikasjen e dronit mbi hapësirën ajrore të Mekës, i përshkroi si “një gënjeshtër të madhe dhe të rëndë”.

Ky nuk është incidenti i vetëm i raportuar nga koalicioni saudit. Më herët, ai kishte njoftuar edhe për shkatërrimin e një rakete, që dyshohet se ishte lëshuar nga Houthit drejt pjesës perëndimore të Arabisë Saudite.

Zhvillimet e fundit vijnë në një periudhë tensionesh të shtuara, ndërsa të dyja palët kanë raportuar për operacione ushtarake dhe sulme të ndërsjella gjatë ditëve të fundit.

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite është i përfshirë në luftën në Jemen që prej marsit të vitit 2015, në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht.

Konflikti nisi të përshkallëzohej pasi rebelët Houthi morën kontrollin e kryeqytetit Sana në shtator të vitit 2014, duke zhytur vendin në një lufte civile që vazhdon prej më shumë se një dekade.