Tifozët e Crvena Zvezdës e rikthyen grafitin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”

Tifozët e Crvena Zvezdës, të njohur si “Delije”, e kanë rikthyer në Beograd grafitin me mbishkrimin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, i cili ishte mbuluar me bojë të enjten.

Ata kanë mohuar pretendimet se pas grafiteve të tilla qëndron Partia Përparimtare Serbe (SNS), duke thënë se janë realizuar nga vetë tifozët.

Sipas gazetës beogradase “Telegraf”, Delije janë deklaruar përmes një komunikate pas rikthimit të grafitit, duke hedhur poshtë pretendimet se mbishkrimet janë bërë nga njerëz të SNS-së.

Ata kanë thënë se grafiti i parë me këtë mesazh në Slavija është realizuar nga tifozët e Partizanit. Kur ai filloi të shkatërrohej, Delije thonë se iu bashkuan “luftës” dhe realizuan disa grafite të tjera me të njëjtën përmbajtje.

“Një pjesë e njerëzve e dinë se pas tyre qëndrojmë ne, ndërsa një pjesë kanë rënë pre e tregimit se janë grafite të SNS-së. Grafitet ‘Kur ushtria të kthehet në Kosovë’ i kemi bërë vetë, me mjetet tona, dhe do të vazhdojmë t’i bëjmë”, thuhet në komunikatë.

Në reagim, tifozët e kanë cilësuar të turpshme që dikujt i pengojnë grafitet e tilla, duke përsëritur se pas tyre nuk qëndron politika apo ndonjë parti, por vetëm grupi i tyre.

Grafitin në qendër të Beogradit e kishte mbuluar me bojë një aktivist të enjten, ndërsa një pjesë e kalimtarëve e kishin fyer gjatë aksionit.

Aksionet për largimin e grafiteve nacionaliste në Serbi janë shtuar pas fitores zgjedhore të Listës Studentore. Këtë javë, në Suboticë është mbuluar me bojë edhe grafiti me portretin e Ratko Mlladiqit, i dënuar për krime lufte. /Klix