Vjedhje spektakolare: Hajduti vjedh Bugatti Chiron 3 milionë eurosh!

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Kroaci, ku një burrë ka arritur të vjedhë një supermakinë luksoze Bugatti Chiron, me vlerë rreth 3 milionë euro, nga ambientet e kompanisë Bugatti Rimac, në pronësi të drejtuesit të saj, Mate Rimac.

Sipas rrëfimit të Mate Rimac në një video të publikuar në Instagram më 29 tetor, personi në fjalë kishte shkuar në ambientet e kompanisë pranë Zagrebit, duke pretenduar se ishte i interesuar për një vend pune.

Gjatë qëndrimit aty, ai vërejti Bugatti Chiron-in me çelësat brenda, hipi në të dhe u largua në drejtim të Sllovenisë.

Por historia mori një kthesë të papritur. Vetë Mate Rimac u vu në ndjekje të makinës me një Porsche 911, ndërsa përmes të dhënave të automjetit u bë e mundur përcaktimi i vendndodhjes së tij.

Në fund, policia austriake arriti ta ndalojë të dyshuarin në autostradën A9, pranë qytetit të Gracit.

Rimac: Nuk desha ta padisja, madje i ofrova ta dërgoja në shtëpi

Në videon e publikuar, Rimac shpjegon se prej vitesh i lë çelësat në automjete, në mënyrë që punonjësit të mund t’i zhvendosin ato sipas nevojës.

Sipas tij, i dyshuari e pranoi vjedhjen. Rimac madje shprehu gatishmëri të mos e ndiqte penalisht dhe i ofroi ta dërgonte në shtëpi, pasi kishte kuptuar se burri mund të përballej me probleme personale.

Megjithatë, autoritetet austriake vazhduan procedurat ligjore.

Bugatti Chiron është rikthyer te pronari, ndërsa automjeti ka pësuar dëmtime të lehta.

Vjedhja ndodhi më 28 tetor, ndërsa rasti ka tërhequr vëmendje të madhe për shkak të vlerës së jashtëzakonshme të makinës dhe mënyrës së pazakontë se si ajo u vodh.

“Horror ne Zvicer” trupi i copëtuar: U. M. (43) ndante dhomën me viktimën