Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka folur mbi rrjedhën e procesit zgjedhor dhe mobilizimin e faktorit politik shqiptar nën një listë të përbashkët.
Pajaziti në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova theksoi se angazhimi në terren është maksimal për të siguruar një përfaqësim sa më të fuqishëm në parlament, duke synuar konkretisht fitimin e dy mandateve.
Ne jemi duke luftuar në terren, duke dhënë maksimumin që të fitojmë edhe deputetin e dytë. Për të parin mund të themi se janë siguruar votat, për shkak se nga 26 mijë vota në Bujanoc dhe Preshevë, diku rreth 6 mijë deri në 7 mijë mund të jenë të serbëve, ndërsa të tjerat të shqiptarëve. Na duhen diku 5 deri në 6 mijë vota që ta sigurojmë edhe deputetin e dytë”, tha Pajaziti.
Duke folur për atmosferën e përgjithshme, Pajaziti nënvizoi se në komunat me shumicë shqiptare situata ka qenë e qetë dhe pa incidente, pavarësisht tensioneve në pjesë të tjera të Serbisë dhe gjuhës së ashpër e pezhorative të përdorur gjatë fushatës.



