Ardian Gjini pritet të zgjidhet sot kryetar i ri i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në Kuvendin Zgjedhor që do të mbahet nga ora 11:30.
Kandidatura e Gjinit për drejtimin e partisë është konfirmuar zyrtarisht, ndërsa ai konsiderohet favorit për ta marrë udhëheqjen e subjektit pas një periudhe të gjatë të dominimit politik nga Ramush Haradinaj.
Haradinaj udhëhoqi AAK-në për 26 vjet dhe gjatë karrierës së tij politike shërbeu dy herë si kryeministër i Kosovës. Ai ishte gjithashtu pjesë e proceseve gjyqësore në Hagë, nga të cilat doli i pafajshëm.
Zgjedhja e kryesisë së re shihet si një fazë e re politike për AAK-në, në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit, ku partia synon riorganizim dhe forcim të strukturave të saj politike.


