Një hetim i publikuar nga RTS ka zbuluar 22 raste të dyshuara për abuzim seksual në qendrat e kujdesit ditor në Zviceren perendimore gjatë periudhës 2020–2025.
Sipas raportimit, rastet janë denoncuar nga drejtorë institucionesh, prindër dhe ish-punonjës, ndërsa disa prej tyre kanë çuar në kallëzime penale. Megjithatë, autoritetet kantonale në Zvicrën frëngjishtfolëse kanë refuzuar të bëjnë publike emrat e institucioneve të përfshira.
Një nga rastet më të rënda është regjistruar në vitin 2024, kur një vajzë trevjeçare i tha nënës së saj se “një burrë e kishte prekur”, duke treguar organet gjenitale. Po atë vit, një nënë raportoi një rast tjetër ku një kujdestare dyshohej se kishte prekur një fëmijë, ndërsa një ekspert mjeko-ligjor konfirmoi shenja dhune.
Në një tjetër rast, një punonjëse e çerdhes dyshohet se mbyllej rregullisht në banjo me vajza të vogla, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e fëmijëve.
Sipas RTS, javë më parë një rast i rëndë nga Bern dhe Winterthur tronditi opinionin publik, ku një drejtues çerdheje dyshohet se ka abuzuar me të paktën 15 fëmijë dhe ka filmuar aktet.
Ngjarjet kanë hapur debat të gjerë në Zvicër për kontrollin e stafit në institucionet parashkollore dhe masat e sigurisë për mbrojtjen e fëmijëve.


