Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër i kësaj partie, Bedri Hamza, sot ka prezantuar zotimin tretë elektoral, i cili ka të bëj me shëndetësinë.
Ai ka bërë me dije se në qeverisjen e tij do të ketë shëndetësi cilësore, me shërbime më të shpejta dhe të qasshme për të gjithë.
Në një konferencë për media, ai ka përmendur se programi i tij përmban shëndetësi cilësore, sigurime shëndetësore dhe barna falas.
“Sot kam kënaqësinë të prezantoj zotimin tonë të tretë: Shëndetësi cilësore, me shërbime më të shpejta dhe të qasshme për të gjithë. Sepse shëndeti nuk është privilegj. Është e drejtë. Dhe sepse një shtet matet jo nga premtimet që bën, por nga kujdesi që tregon për qytetarët e tij kur ata kanë më së shumti nevojë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës do të ndërmarrë hapa konkretë në këtë fushë,
“Do të zbatojmë sigurimet shëndetësore, në mënyrë që familjet të mbrohen nga shpenzimet e papërballueshme dhe askush të mos mbetet pa trajtim për arsye financiare. Do të sigurojmë furnizim të rregullt me barna esenciale dhe barna falas për pacientët me sëmundje kronike. Do të modernizojmë spitalet ekzistuese, do të investojmë në QKUK dhe do të ndërtojmë Spitalin Rajonal të Prishtinës. Do të krijojmë Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, që reagimi në raste emergjente të jetë më i shpejtë dhe më efikas”, ka deklaruar ai.
Tutje, ai ka dhënë detaje tjera të programit të tij.
“Do të investojmë në teknologji dhe pajisje moderne diagnostikuese, në mënyrë që qytetarët të mos presin me muaj për ekzaminime. Do të zbatojmë Programin Kombëtar për Kancerin, me diagnostikim të hershëm, skrining dhe trajtim sipas standardeve evropiane. Do ta afrojmë shëndetësinë te qytetari përmes mjekësisë mobile, veçanërisht në zonat rurale dhe të largëta. Do të krijojmë qendra moderne rehabilitimi dhe kujdesi të specializuara për pacientët që kanë nevojë për trajtim afatgjatë”, është shprehu ai, duke dhënë detaje tjera.
“Do të themelojmë Qendrën Kombëtare për Trajtimin e Varësive, për të ndihmuar njerëzit dhe familjet që sot përballen me këtë problem. Do të mbështesim prodhimin vendor farmaceutik, për më shumë siguri në furnizim dhe më shumë vende pune. Do ta digjitalizojmë sistemin shëndetësor, me dosje elektronike, termine online dhe shërbime më të shpejta për qytetarët. Natyrisht, edhe shumë e shumë projekte të tjera, të cilat do t’i mbrojnë qytetarët tanë nga kostot e larta shëndetësore të trajtimit”, ka thënë ai.
Sipas tij, në qeverisjen e PDK-së do të ndryshojnë shumë gjera në shëndetësi.
“Shëndetësia nuk është shpenzim. Shëndetësia është investim. Investim në jetën e njerëzve. Investim në dinjitet. Investim në të ardhmen e Kosovës. Sepse, siç kam dëshirë ta them unë: shëndetësia, mbi të gjitha, është edhe ekonomi. Sepse një popull i shëndoshë është edhe një ekonomi e shëndoshë. Më 7 qershor, bashkë do t’i themi STOP krizës. Dhe bashkë do ta ndryshojmë Kosovën”, ka thënë ai.


