Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Qeveria nuk do t’i lërë qytetarët vetëm të përballen me pasojat e stuhisë së fortë që goditi Shkupin dhe njoftoi se dëmet do të përcaktohen dhe do të kompensohen sipas procedurave ligjore.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse qytetarët do të mbeten vetëm të përballen me dëmet materiale, Mickoski tha se institucionet reaguan menjëherë.
„Kurrë kjo qeveri nuk i ka lënë qytetarët vetëm të përballen. Ju falënderoj institucionet dhe kryetarët e komunave që gjatë mbrëmjes dhe menjëherë pas stuhisë dolën në terren dhe bashkë me institucionet kompetente i sanuan dëmet. Edhe sot do të vazhdojnë, pasi bëhet fjalë për një stuhi epike“, deklaroi Mickoski.
Ai theksoi se pas vlerësimit të dëmeve do të ndiqet procedura për kompensimin e tyre.
„Dëmet do të konstatohen dhe sipas ligjit, përvojës së së kaluarës dhe praktikës, nga institucionet kompetente të gjitha ato do të kompensohen. Ka mekanizma për ndihmë. Absolutisht, si në çdo fatkeqësi natyrore“, tha kryeministri.
Në pyetjen e gazetarëve lidhur me ankesat e një pjese të punonjësve të Ndërmarrjes Publike „Parqe dhe Gjelbërim“ se nuk marrin rregullisht pagën, Mickoski tha se nuk ka informacione të tilla.
„Unë nuk kam marrë një informacion të tillë që punonjësit e ‘Parqeve dhe Gjelbërimit’ nuk e marrin në kohë pagën“, deklaroi ai.



