Çitaku kritikon Kurtin dhe institucionet: As marrëveshje politike, as mbështetje për Hagën

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend pas rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.
Çitaku ka deklaruar se takimi ndërmjet Bedri Hamzës dhe Albin Kurtit nuk ka prodhuar asnjë rezultat konkret, pasi siç thotë ajo nuk ka pasur hapësirë reale për diskutim mbi çështjet politike.

“Është tmerruese se si synohet të reduktohet çështja e zgjedhjes së presidentit në një vend pune. Ne nuk po shkojmë për të negociuar për ta bërë dikë president. Kjo do të ishte reduktim deri në banalitet i zyrës së presidentit dhe i funksionimit demokratik. Ne nuk kemi shkuar në takim për të diskutuar për një vend pune, por për parimet, se si do të duket Kosova në katër vitet e ardhshme”, është shprehur Çitaku.
Ajo ka bërë të ditur se takimi që kishte Bedri Hamza me Albin Kurtin, nuk solli asnjë zhvillim të ri mes palëve.

“Nuk ka pasur asnjë lloj hapësire për të diskutuar. Do të doja të kisha diçka ekskluzive, substanciale e domethënëse për të shpalosur, por nuk ka. Ka qenë një deja vu i takimeve të mëhershme, madje mund të them se ka pasur edhe kthim prapa në atë që mund të quhej ofertë. U tha: ‘Qeverinë e bëj vetë, Kuvendin e bëj vetë, po hajde ta bëjmë presidentin’”, tha ajo.
Në anën tjetër, Çitaku ka komentuar edhe mbi procesin gjyqësor në Hagë ku ish-krerët e UÇK-së po përballen me drejtësinë.

Deputetja e PDK-së tha se ata nuk kanë marrë mbështetjen e duhur nga institucionet e Republikës së Kosovës. Kështu ka deklaruar në emisionin Rubikon, Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku.

Ajo ka vlerësuar se përgjegjësia për ta nuk duhej të binte mbi partinë, por mbi shtetin, pasi siç thotë ajo, ata ndodhen në Hagë si bartës të luftës çlirimtare e jo si përfaqësues partiakë.

“Liderët historikë të PDK-së, themeluesit e PDK-së janë në Hagë duke u përballur me një proces të cilit po i vjen, fatkeqësisht, fundi. Ka qenë një proces shumë i rëndë. Ai proces nuk do të duhej të ishte barrë e një partie, por barrë dhe përgjegjësi e shtetit, sepse ata në Hagë nuk janë si liderë politikë apo partiakë, por si themelues dhe bartës të luftës sonë çlirimtare”, tha ajo.
Sipas Çitakut, mbështetja e institucioneve të Kosovës ka qenë kryesisht financiare por e pamjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e mbrojtjes.

“Fatkeqësisht ka pasur mbështetje minimale nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe kjo mbështetje është reduktuar në një ndihmë financiare, e cila as përafërsisht nuk i ka mbuluar kostot e larta të mbrojtjes për liderët tanë. Ndërkohë ka pasur zero angazhim politik e diplomatik në mbrojtje të tyre”, deklaroi ajo.

By admin7