Shqiptarët përbëjnë numrin më të madh të personave të evidentuar të papunë

Brenda një viti janë paraqitur 10.143 kërkesa për leje pune për shtetas të huaj. Ndërsa më shumë se 60% e punëdhënësve në vend kanë deklaruar se kanë nevojë për punësime të reja, në Agjencinë e Punësimit në qershor është regjistruar rritje mujore e numrit të të papunëve. Në tregun e punës, sipas të dhënave zyrtare, numri i vendeve të lira të punës ka tejkaluar 10.000, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

83% e numrit të përgjithshëm të të papunëve janë pa arsim, me arsim fillor ose të mesëm
Për herë të parë që nga fillimi i këtij viti, në qershor, sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut (APRMV), në nivel mujor është regjistruar rritje e numrit të të papunëve. Në muajin e shtatë të këtij viti, si punëkërkues aktivë ishin të evidentuar 88.541 persona, që është për 2.425 më shumë krahasuar me muajin maj. Në të njëjtën kohë, janë regjistruar edhe 41.281 të papunë me statusin e punëkërkuesve pasivë.

Nga numri i përgjithshëm i të papunëve – punëkërkues aktivë – sipas përllogaritjes së Portalb.mk, bazuar në të dhënat zyrtare, numri më i madh, përkatësisht 35.757, janë shqiptarë, me pjesëmarrje prej 40,3%. 33.679, ose 38,0%, janë maqedonas, ndërsa të tretët për nga numri i të papunëve janë romët, me 10.008 persona, që përbëjnë 11,3% të numrit të përgjithshëm të të papunëve. Pas tyre vijnë turqit, me 6.564 të papunë, ose 7,4%. Pjesëtarët e bashkësive të tjera etnike, si dhe personat që nuk janë deklaruar sipas përkatësisë etnike, përbëjnë më pak se 1,8% të numrit të përgjithshëm të të papunëve. Sipas nivelit të arsimit, më shumë se gjysma e të papunëve, përkatësisht 51.390 persona, që përbëjnë 58,0%, janë pa arsim ose me arsim fillor, ndërsa 22.195 persona, ose 25% e numrit të përgjithshëm të punëkërkuesve aktivë, janë persona me arsim të mesëm. Kjo do të thotë se, 83% e numrit të përgjithshëm të të papunëve janë pa arsim, me arsim fillor ose të mesëm.

By admin7