Berlin – Sërish janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në Berlin. Sërish një person ka humbur jetën në një atentat me armë.
Të shtënat fatale ndodhën në orët e para të mëngjesit, pak para orës 03:00, para një lokali mëngjesi në zonën Köllnische Heide, në afërsi të menjëhershme të Sonnenallee.
Dy autorë, gjashtë të shtëna!
Sipas informacioneve të B.Z., dy persona kanë ndjekur viktimën në Planetenstraße. Në kryqëzimin me Sonnenallee, ata dyshohet se kanë qëlluar gjashtë herë në drejtim të burrit. Të paktën një plumb e ka goditur në kokë.

Sipas banorëve të zonës, viktima dyshohet se banonte në të njëjtën rrugë.
“Thuhet se ai kishte dalë nga dera e banesës dhe i kishte parë ata. Më pas ka vrapuar dhe është plagosur nga të shtënat. Para një dyqani në trotuar është rrëzuar”, ka treguar një banor për B.Z.
Policia e Berlinit njoftoi se, pavarësisht përpjekjeve të menjëhershme për reanimim nga efektivët dhe mjeku i urgjencës, personi i plagosur ndërroi jetë në vendngjarje.
Hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve janë në vazhdim.

Gëzhojat e gjetura janë shënuar me tabela, ndërsa në sfond hetuesit po kryejnë matjet e vendit të ngjarjes.
Autorët janë larguar pa u identifikuar. Policia ka nisur kërkimet për personat e dyshuar.
Ndërkohë, hetuesit kriminalistikë po analizojnë vendin e krimit, i cili është rrethuar në një zonë të gjerë. Për dokumentimin dhe matjen e detajuar të vendit të ngjarjes, policia po përdor një skaner 3D.
“Hetimet nën dyshimin për një vepër të rëndë penale po i drejton Komisioni i 5-të i Vrasjeve, me urdhër të Prokurorisë së Berlinit”, deklaroi zëdhënësi i policisë, Florian Nath.
Motivet dhe rrethanat e ngjarjes ende nuk janë të qarta. Sipas policisë, personi i vrarë ishte 27 vjeç. Hetuesit deri tani nuk kanë dhënë të dhëna të tjera për identitetin e viktimës.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin e autorëve, të cilët ende nuk janë kapur.



