Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) ka publikuar një koment të fortë për Serbinë dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, duke vlerësuar se durimi i Bashkimit Evropian ndaj Beogradit ka marrë fund.
Në koment, të publikuar më 10 shtator nga gazetari i FAZ-it në Bruksel, Thomas Gutschker, theksohet se Vuçiqi prej kohësh po shkel vlerat dhe interesat e Bashkimit Evropian dhe se tashmë po përballet me pasojat.
“Durimi i BE-së me Serbinë ka marrë fund”, është titulli i komentit të Gutschkerit.
Sipas tij, Bashkimi Evropian ka treguar për një kohë të gjatë durim ndaj vendeve kandidate për anëtarësim, duke kuptuar vështirësitë që lidhen me reformat dhe balancimin mes detyrimeve evropiane dhe interesave kombëtare.
Megjithatë, gazetari gjerman thotë se kjo durim ka kufij.
“Por kur një qeveri as nuk përpiqet të gjejë këtë ekuilibër dhe shkel sistematikisht vlerat evropiane, edhe durimi engjëllor përfundimisht shteron”, shkruan Gutschker.
Ai kujton se Turqia dhe Gjeorgjia tashmë e kanë ndier këtë qasje të BE-së, pasi negociatat e tyre janë ngrirë për arsye politike.
“Serbia tani është në të njëjtën rrugë”, thekson ai.
Sipas Gutschkerit, varrimi i Ratko Mlladiqit, i dënuar për krime lufte, me nderime ushtarake dhe pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë shtetërorë serbë, ishte “pika që mbushi kupën”.
Gazetari argumenton se presidenti serb Aleksandar Vuçiq e kishte mbushur atë “kupë” prej vitesh.
Ai përmend, ndër të tjera, pengimin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, shkeljet ndaj sundimit të ligjit, demokracisë dhe ndarjes së pushteteve në Serbi, si dhe afrimin e Vuçiqit me presidentin rus Vladimir Putin dhe refuzimin e Beogradit për t’iu bashkuar sanksioneve evropiane kundër Rusisë.
“Varrosja e kriminelit të luftës të dënuar Ratko Mlladiq, me nderime ushtarake dhe zyrtarë të lartë shtetërorë, është pika që e mbushi kupën”, shkruan Gutschker.
Në përfundim të komentit, gazetari i FAZ-it thotë se Këshilli Evropian duhet të nxjerrë pasoja nga sjellja e Serbisë.
Megjithatë, sipas tij, BE-ja nuk pritet ta mbyllë menjëherë derën për Serbinë, të paktën jo para zgjedhjeve parlamentare të paralajmëruara në Beograd në fund të tetorit.
Për qytetarët serbë, Gutschker e sheh këtë periudhë si një mundësi të fundit për perspektivën evropiane të vendit.
“Për serbët, kjo mund të jetë mundësia e fundit për një perspektivë evropiane”, përfundon komentari i tij.



