Isufaj në takime me diplomatët amerikanë dhe britanikë, pas përplasjeve me pushtetin

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, është takuar të premten me të ngarkuarën me punë të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, si dhe me ambasadorin britanik Jonathan Hargreaves. Takimet vijnë në një kohë kur Isufaj është përfshirë vazhdimisht në përplasje publike me drejtues të pushtetit dhe institucioneve të Kosovës.
Blerim Isufaj ka pritur të premten në zyrën e tij dy përfaqësues të rëndësishëm diplomatikë në Kosovë – ambasadorin e Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves, dhe të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Anu Prattipati.
Sipas njoftimit të Sistemit Prokurorial të Kosovës, gjatë takimit me ambasadorin britanik është diskutuar për punën e Prokurorisë Speciale dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.
Ambasadori Hargreaves e ka përgëzuar Prokurorinë Speciale për punën e saj dhe ka riafirmuar mbështetjen britanike, si dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me institucionet e Kosovës.
Nga ana e tij, Isufaj ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me autoritetet britanike, duke e cilësuar Mbretërinë e Bashkuar si një prej partnerëve kryesorë institucionalë të Prokurorisë Speciale në luftën kundër krimit.
Takim edhe me përfaqësuesen e SHBA-së
Pak orë më vonë, në zyrën e tij Isufaj ka pritur edhe të ngarkuarën me punë të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.
Në këtë takim është diskutuar për punën e Prokurorisë Speciale, sundimin e ligjit dhe bashkëpunimin me institucionet amerikane në luftën kundër krimit të organizuar.
Prokuroria Speciale e ka falënderuar Ambasadën Amerikane për mbështetjen në hetimet kundër organizatave kriminale që merren me krimin transnacional, si dhe për bashkëpunimin me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit.
Në njoftim është shprehur gjithashtu mirënjohje për “mbështetjen e vazhdueshme” të SHBA-së në ruajtjen e pavarësisë së Prokurorisë Speciale dhe të sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Isufaj, në qendër të kritikave të pushtetit
Takimet e së premtes marrin rëndësi edhe për shkak të përplasjeve të vazhdueshme politike rreth figurës së Blerim Isufajt.
Kryeministri Albin Kurti e ka kritikuar publikisht Isufajn, veçanërisht lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.
Në një intervistë më 31 maj të këtij viti, Kurti kishte deklaruar se Isufaj nuk duhet të marrë këtë pozitë, duke e lidhur atë me rastin e Milan Radoiçiqit.
“Unë po them që ky nuk bën [Blerim Isufaj]”, kishte deklaruar Kurti, duke shtuar se Isufaj “nuk bën me u bë Kryeprokuror”.
Kurti kishte ngritur gjithashtu pyetje se kush, sipas tij, qëndronte prapa insistimit të Isufajt për këtë pozitë.
Përplasja rreth zgjedhjes së Kryeprokurorit
Isufaj ishte propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit në vitin 2022, por nuk ishte dekretuar nga presidentja Vjosa Osmani.
Pas kërkesës për zhvillimin e një procesi të ri, Këshilli Prokurorial i Kosovës shpalli konkurs të ri më 18 maj 2026.
Isufaj e kundërshtoi këtë proces përmes gjykatës, duke kërkuar anulimin e vendimit të KPK-së.
Megjithatë, KPK vazhdoi procedurat për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe, sipas procesit të zhvilluar, Zejnullah Gashi mori numrin më të madh të pikëve dhe më pas u dekretua.
Në këtë klimë të tensionuar institucionale, takimet e Blerim Isufajt me përfaqësuesit e dy prej aleatëve kryesorë ndërkombëtarë të Kosovës – SHBA-së dhe Britanisë së Madhe – të premten kanë tërhequr vëmendje të veçantë.