Gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku, ka shpjeguar arsyen e vonesës 10-minutëshe të transmetimit të shpalljes së aktgjykimit për katërshen e UÇK-së në Hagë, më 16 shtator.
Mujku thotë se kjo vonesë bëhet për shkak të reagimeve që mund të jenë të papërshtatshme për publikun, një praktikë që, sipas saj, është pjesë e protokollit të Gjykatës Speciale.
Ajo tha se, ndryshe nga seancat e tjera gjyqësore, të cilat transmetohen me një vonesë prej 45 minutash, në rastin e shpalljes së aktgjykimit vonesa është vetëm 10 minuta.
“Për shpalljen e aktgjykimit, siç do herë, është vendosur të jetë vetëm 10 minuta me vonesë. Ndryshe prej seancave të tjera të dëgjimit të dëshmitarëve apo konferencave të tjera statusore, që është me 45 minuta vonesë nga momenti kur transmetohet”, tha Mujku.
Ajo shpjegoi se vonesa prej 45 minutash në seancat e tjera lidhet kryesisht me mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të dhënave të ndjeshme, përfshirë pjesët e redaktuara që nuk lejohen të raportohen publikisht.
Ndërkaq, për shpalljen e aktgjykimit, sipas saj, arsyeja e vonesës së shkurtër lidhet me mundësinë e reagimeve gjatë seancës që Gjykata Speciale i konsideron të papërshtatshme për publikun.
“Shpallja e aktgjykimit s’ka asgjë jashtë protokollit, jashtë skenarit. Është një fjalim që do të lexohet nga gjyqtari i trupit gjykues, Charles Smith. Mund të ketë shtesa, komente të tjera, por është një dokument që është veçse i përpiluar”, deklaroi gazetarja./Klankosova.tv



