Me entuziazëm, përkushtim dhe një vizion të qartë për zhvillimin profesional, FOSTER Academy ka nisur realizimin e Akademisë për Avancim Profesional në Arsim (AAPA), një iniciativë që për herë të parë shtrihet në komunat e Tetovës, Gostivarit, Vrapçishtit dhe Çairit.
Muhamed Jonuzi, koordinator i Akademisë, theksoi rëndësinë e kësaj nisme, duke vlerësuar entuziazmin, gatishmërinë dhe bashkëpunimin e jashtëzakonshëm të institucioneve dhe profesionistëve të përfshirë.
Ai potencoi se kësaj iniciative i ka paraprirë një punë e konsiderueshme, duke filluar nga hulumtimi dhe identifikimi i nevojave reale të stafeve profesionale, hartimi i një kurrikule të specializuar, deri te përzgjedhja e profesorëve dhe ekspertëve që do të ligjërojnë përgjatë Akademisë.
“Për herë të parë, përmes një koncepti të strukturuar dhe të mbështetur në nevojat reale të profesionistëve, po ndërtojmë një platformë të përbashkët zhvillimi profesional në katër komuna. Veçanërisht na gëzon fakti që kjo iniciativë është mirëpritur nga sektorët komunalë të arsimit, drejtorët e shkollave dhe stafet profesionale, të cilët po dëshmojnë gatishmëri të lartë për bashkëpunim dhe avancim të vazhdueshëm”, theksoi Jonuzi.
Dy ligjëratat e para trajnuese u realizuan nga Qufli Osmani, i cili trajtoi tema me rëndësi të veçantë për praktikën bashkëkohore psikopedagogjike, përkatësisht instrumentin M.I.N.I. (Mini International Neuropsychiatric Interview), vlerësimin e kompetencës komunikuese dhe klimën organizative në shkollë.
Përmes ndërthurjes së përmbajtjeve teorike, instrumenteve të standardizuara dhe ushtrimeve praktike, pjesëmarrësit patën mundësi të thellojnë njohuritë dhe të zhvillojnë kompetenca të zbatueshme në mjediset e tyre profesionale.
Akademia synon të krijojë një kulturë të re të zhvillimit profesional, ku trajnimet nuk mbeten vetëm në nivelin e njohurive teorike, por shndërrohen në aftësi konkrete, përgjegjësi profesionale dhe praktika që kontribuojnë në cilësinë e shërbimeve psikopedagogjike në shkolla.
AAPA – Sepse profesionalizmi nuk dëshmohet vetëm me atë që dimë, por me mënyrën se si njohuritë i zbatojmë në praktikë!
Akademia për Avancim Profesional në Arsim (AAPA), një iniciativë që për herë të parë shtrihet në komunat e Tetovës, Gostivarit, Vrapçishtit dhe Çairit


