Tokat në Stenkovec shpronësohen me 20 euro për m², ndërsa pronarët thonë se vlera e tregut arrin deri në 180 euro

53 pronarë kundërshtojnë shpronësimin për Korridoret 8 dhe 10: Konteste në Gjykatën Administrative, ankesë në IPAM dhe pretendime për parregullsi procedurale.

Pronarët e tokave në zonën e Stenkovecit, në territorin e Komunës së Çairit, kundërshtojnë procesin e shpronësimit të pronave të tyre private për nevojat e ndërtimit të Korridoreve 8 dhe 10. Ata pretendojnë se shteti ka nisur ndërhyrjet në terren, duke angazhuar makineri të rënda ndërtimore dhe ekipe gjeodetësh, pavarësisht se çështja tashmë është duke u shqyrtuar në procedura gjyqësore.

Sipas pronarëve, kompensimi që ofron shteti është dukshëm më i ulët se vlera reale e tregut. Ata thonë se çmimi i tokës në këtë zonë varion nga 130 deri në 180 euro për metër katror, ndërsa kompensimi i propozuar nga institucionet shtetërore është vetëm 1.200 denarë, apo rreth 20 euro për metër katror.

Pronarët pretendojnë se bëhet fjalë për një zonë me rëndësi strategjike, ku kryqëzohen Korridoret ndërkombëtare 8 dhe 10, dhe kërkojnë që vlerësimi i pronave të bëhet në përputhje me vlerën reale të tregut.

Kundërshtime për vlerësimin e pronave dhe procedurat

Përveç çështjes së kompensimit, pronarët ngrenë edhe pretendime për parregullsi në procedurën e shpronësimit. Sipas tyre, Administrata për Çështje Pronësore-Juridike, përmes Zyrës Rajonale në Çair, është mbështetur në një vendim të vitit 2014 për përcaktimin e çmimit të tokës.

Ata gjithashtu vënë në pikëpyetje disa transaksione që, sipas pretendimeve të tyre, janë evidentuar përmes sistemit SWIFT, duke ngritur dyshime për fshehjen ose fshirjen e datave të transaksioneve, me pasojë përcaktimin e një vlere më të ulët të pronave.

Një tjetër shqetësim i pronarëve lidhet me mungesën e kompensimit për zonat tampon dhe pjesët e mbetura të parcelave, të njohura si enklava. Sipas tyre, pas përfundimit të punimeve, disa nga këto parcela rrezikojnë të mbeten pa qasje rrugore dhe praktikisht të papërdorshme.

53 pronarë në kontest gjyqësor, çështja është ngritur edhe në IPAM

Deri më tani, një grup prej 53 pronarësh të prekur ka nisur konteste administrative pranë Gjykatës Administrative, duke kundërshtuar vendimet dhe procedurat e shpronësimit.

Çështja është paraqitur edhe pranë IPAM-it, mekanizmit të pavarur të llogaridhënies për projektet e mbështetura nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Pronarët shprehin shqetësim edhe për vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për ndalimin e protestës së paralajmëruar, duke iu referuar Nenit 2-a. Ata pretendojnë se janë paralajmëruar për mundësinë e shqiptimit të gjobave prej 500 eurosh dhe ngritjes së akuzave penale ndaj pjesëmarrësve.

“Nuk jemi kundër korridoreve, kërkojmë kompensim të drejtë”

Pronarët theksojnë se nuk janë kundër realizimit të projekteve infrastrukturore dhe ndërtimit të Korridoreve 8 dhe 10, por kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre pronësore dhe kompensim të drejtë për tokën që po shpronësohet.

Ata kanë paralajmëruar se të shtunën do të mblidhen në zonën e Stenkovecit, për të kundërshtuar zhvillimet në terren dhe për të kërkuar zgjidhje për çështjen e kompensimit.

Mbetet të shihet se si institucionet përgjegjëse do t’u përgjigjen pretendimeve të pronarëve dhe nëse do të ketë rishqyrtim të vlerësimit të pronave dhe procedurave të shpronësimit.

Qytetarët e RMV-së mbajnë 7,4 miliardë euro kursime në banka, shuma tejkalon buxhetin vjetor të shtetit