Shkruan: Nefail Emini
Franca, ekonomia e dytë më e madhe në Bashkimin Evropian, po përballet me një situatë gjithnjë e më të ndërlikuar ekonomike, të karakterizuar nga dobësimi i aktivitetit ekonomik, rritja e inflacionit dhe përkeqësimi i treguesve fiskalë. Këto zhvillime, të shoqëruara me shtimin e pakënaqësisë sociale, po e vendosin qeverinë franceze përballë sfidave të konsiderueshme politike dhe ekonomike. Kjo situate po krijon hapësirë për forcimin e forcave politike në të dy skajet ideologjike, të majta dhe të djathta, ndikimi i të cilave mund të shtrihet përtej politikës së brendshme franceze, duke prekur edhe orientimin e ardhshëm të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.
Franca po shkon «drejt e në mur» nëse nuk arrin të frenojë deficitin buxhetor, paralajmëroi ministri i Financave, Roland Lescure, në një kohë kur ekonomia po shfaq shenja dobësimi dhe inflacioni po përshpejtohet. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia Kombëtare e Statistikave (INSEE), Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) i Francës u tkurr me 0,1% në tremujorin e tretë të vitit, pas stagnimit në tremujorin paraprak dhe rënies prej 0,2% në fillim të vitit. Ndërkohë, inflacioni vjetor arriti në 3,4% në tetor, nga 3,1% në shtator, duke shënuar nivelin më të lartë që nga janari i vitit 2024. Në të njëjtën kohë, borxhi publik, i cili arrin rreth 119% të PBB-së, dhe deficiti i konsiderueshëm buxhetor po kufizojnë hapësirën fiskale të qeverisë për të ndërhyrë në mbështetje të ekonomisë.
Përkeqësimi i treguesve ekonomikë ka shtuar presionin mbi presidentin Emmanuel Macron dhe qeverinë e tij, e cila po përpiqet të kufizojë shpenzimet publike, ndërkohë që synon të rrisë investimet në sektorin e mbrojtjes. Pavarësisht nivelit të lartë të borxhit publik, Franca ka parashikuar një shtesë prej 6,7 miliardë eurosh (7,5 miliardë dollarësh) për buxhetin ushtarak të vitit 2026.
Pakënaqësia sociale dhe protestat sfidojnë qeverinë
Përveç problemeve ekonomike, politikat shtrënguese të qeverisë kanë nxitur pakënaqësi të konsiderueshme sociale, e cila është shndërruar në protesta në shkallë vendi.
Trazirat nisën në shtator, pas demonstratave kundër mungesës së personelit dhe përkeqësimit të kushteve në një shkollë të mesme pranë Parisit. Megjithatë, protesta u zgjeruan me shpejtësi, duke përfshirë mijëra studentë që kërkuan më shumë financim për arsimin dhe kritikuan autoritetet për atë që e konsiderojnë si përparësi të shpenzimeve ushtarake në raport me investimet në sistemin arsimor.
Situata u përshkallëzua më tej, duke përfshirë akte dhune dhe vandalizmi. Protestuesit plaçkitën dyqane, dogjën automjete dhe dëmtuan ndërtesën historike të bashkisë në Limoges. Si pasojë e trazirave, mijëra persona u arrestuan, ndërsa qindra të tjerë mbetën të plagosur.
Përmasat e protestave kanë nxitur krahasime me lëvizjen e «Jelekëve të Verdhë» të vitit 2018, e cila përbënte një nga sfidat më të mëdha ndaj politikave ekonomike të Macronit. Ndërkohë, aktivistët, studentët dhe sindikatat kanë bërë thirrje për demonstrata të reja, duke detyruar autoritetet të mobilizojnë rreth 70 mijë pjesëtarë të forcave të sigurisë në të gjithë vendin.
Nga ana e tij, Macron e ka lidhur krizën e fuqisë blerëse me pasojat ekonomike të luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, bllokadën e Ngushticës së Hormuzit dhe rritjen e ndjeshme të çmimeve të karburanteve.
Kriza ekonomike dhe fragmentimi politik në prag të zgjedhjeve presidenciale
Me afrimin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027, vështirësitë ekonomike dhe pakënaqësia sociale po ndikojnë gjithnjë e më shumë në klimën politike franceze. Për qeverinë, një nga sfidat kryesore mbetet sigurimi i mbështetjes së nevojshme parlamentare për miratimin e buxhetit dhe zbatimin e masave për reduktimin e deficitit.
Megjithatë, ndikimi i krizës nuk kufizohet vetëm në politikat ekonomike të qeverisë. Pakënaqësia ndaj establishmentit politik dhe fragmentimi i skenës partiake po krijojnë hapësirë për forcat që pozicionohen jashtë qendrës tradicionale politike, si në të djathtë, ashtu edhe në të majtë ekstreme. Në këtë kontekst, Marine Le Pen dhe Jean-Luc Mélenchon po shfaqen si dy prej figurave që përfitojnë nga kjo klimë politike.
Kjo prirje pasqyrohet edhe në sondazhin e fundit të realizuar nga instituti Odoxa, gjatë periudhës 24 shtator – 7 tetor. Sipas rezultateve, Marine Le Pen do të kryesonte raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale me 37–38% të mbështetjes. Në vendin e dytë do të renditej Jean-Luc Mélenchon, me 18–18,5% të votave.
Ndërkohë, në skenarët ku qendra do të përfaqësohej nga njëri prej dy ish-kryeministrave të Macronit, Édouard Philippe do të siguronte 17% të mbështetjes, ndërsa Gabriel Attal 11%.
Çfarë nënkupton zhvillimi politik në Francë për Evropën dhe NATO-n?
Përtej dimensionit të brendshëm, zhvillimet politike në Francë kanë rëndësi të veçantë për të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe të arkitekturës së sigurisë euroatlantike. Si një nga shtetet themeluese të BE-së dhe një prej aktorëve kryesorë të integrimit evropian, Franca ka rol të rëndësishëm në përcaktimin e orientimit politik, ekonomik dhe strategjik të unionit.
Për këtë arsye, një ndryshim i mundshëm i drejtimit politik në Paris, veçanërisht në rast të ardhjes në pushtet të forcave me programe dhe prioritete dukshëm të ndryshme nga ato të udhëheqjes aktuale, mund të ndikojë në politikat dhe prioritetet e Bashkimit Evropian. Kjo mund të kishte një ndikim të fuqishëm pë procesin e zgjerimit të Unionit, e cila do të kishte një impakt të fuqishëm në Ballkanin Perëndimorë.
Një dimension tjetër strategjik lidhet me pozitën e Francës në NATO. Si fuqi bërthamore dhe një nga aktorët kryesorë ushtarakë të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Franca ka peshë të veçantë në përcaktimin e politikave të mbrojtjes dhe sigurisë kolektive. Historikisht, Parisi ka mbrojtur një qasje të veçantë ndaj disa aspekteve të funksionimit të NATO-s, duke theksuar rëndësinë e autonomisë strategjike evropiane dhe zhvillimit të kapaciteteve të pavarura mbrojtëse të Evropës.
Në këtë kuadër, ndryshimi i mundshëm i udhëheqjes politike në Francë mund të sjellë rishikimin e prioriteteve të politikës së jashtme dhe të sigurisë. Qëndrimi ndaj marrëdhënieve me SHBA-në, mbështetjes për Ukrainën, integrimit evropian dhe autonomisë strategjike mund të bëhen çështje me rëndësi të veçantë në përcaktimin e drejtimit të ardhshëm të politikës franceze.
Një zhvillim i tillë do të kishte potencial të ndikonte jo vetëm në marrëdhëniet transatlantike, por edhe në kohezionin e brendshëm të NATO-s dhe në balancën ndërmjet autonomisë strategjike evropiane dhe angazhimeve të përbashkëta euroatlantike.
Në këtë kontekst, zgjedhjet presidenciale të vitit 2027 do të përfaqësojnë një moment të rëndësishëm për të ardhmen politike të Francës. Përtej sfidave ekonomike dhe sociale, ato do të përcaktojnë edhe drejtimin e ardhshëm të një prej shteteve me peshën më të madhe politike, ekonomike dhe ushtarake në Evropë. Prandaj, zhvillimet në Paris do të ndiqen me vëmendje jo vetëm për ndikimin e tyre në politikën e brendshme franceze, por edhe për pasojat që mund të kenë në të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe të sigurisë euroatlantike.



