Mesazhe paqeje dhe sakrifice nga Shkupi, Kurban Bajrami mbledh mijëra besimtarë në “Mustafa Pasha”

Besimtarët myslimanë kanë festuar sot Kurban Bajramin, njohur ndryshe si “Festa e Flijimit”, një nga festat më të rëndësishme islame që simbolizon besimin, sakrificën dhe unitetin mes njerëzve.

Në Xhamia Mustafa Pasha, që në orët e para të mëngjesit, nisi ceremonia qendrore e faljes së Kurban Bajramit. Atmosfera festive dhe shpirtërore u shoqërua me lexim të ajeteve nga Kurani dhe interpretim të ilahive në disa gjuhë.

Reklame

Në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve, kreu i Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetai, theksoi se Kurban Bajrami dhe Haxhi përfaqësojnë përkushtimin ndaj Zotit, dashurinë për njeriun dhe rëndësinë e solidaritetit e barazisë mes njerëzve.

“Sot, në këtë ditë të madhe, besimtarët me kënaqësi kryejnë obligimin hyjnor të prerjes së kurbanëve të tyre, duke dëshmuar në praktikë se pasuria është dhuratë e Zotit dhe se ajo nuk është qëllim i jetës, por mjet për arritjen e besimit, kujdesit ndaj njeriut dhe mirëqenies së përgjithshme”, deklaroi Fetai.

Ai shtoi se kjo festë përcjell mesazhin se veprat madhore kërkojnë sakrificë dhe se e mira arrihet përmes flijimit, duke nxitur vlera si paqja, toleranca, solidariteti dhe respekti ndërnjerëzor.

Pas faljes së namazit, besimtarët vazhduan traditën e therjes së kurbanit, ritual që lidhet me historinë e profetëve Ibrahim dhe Ismail. Festa shoqërohet gjithashtu me vizita familjare, ushqime tradicionale, veshje festive dhe pajtim mes njerëzve.

By admin