Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, Kaltrinë Lohaj, nga qyteti i Ferizajt, ka hyrë në garë për herë të parë si kandidate për deputete me numrin 29 në listën e PDK-së, duke sjellë në politikë përvojën e saj si logopede, themeluese institucionesh në arsim e shëndetësi dhe menaxhere e një ekipi me shumicë gra profesioniste.
E rritur në një familje me histori të thellë atdhetarie, ajo në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, thekson se patriotizmi për të është përgjegjësi morale dhe punë konkrete. “Jam rritur me dashuri për Kosovën, me ndjenjë të fortë kombëtare dhe me bindjen se shteti ynë meriton më shumë. Vij nga një familje patriotike që e ka paguar çmimin e lirisë së Kosovës, jam vajza e dy ish të burgosurve politikë dhe bashkëshortja e djalit të një dëshmori të luftës së fundit në Kosovë. Për mua, patriotizmi nuk është slogan politik, por histori familjare dhe përgjegjësi morale. Jam logopede me profesion dhe themeluese e tre institucioneve në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, me një staf prej thuajse 60 profesionistësh, ku 50 prej tyre janë gra. Kjo tregon qartë se gratë dhe të rinjtë janë ndër fokuset e mia kryesore”, ka thënë Lohaj.
Në këtë intervistë, Lohaj artikulon tre boshtet e programit të saj: rikthimin e seriozitetit shtetëror, zhvillimin ekonomik me fokus te të rinjtë dhe gratë, si dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Me një vizion që shkon nga politikat për punësim e sipërmarrje te shërbimet për fëmijët me nevoja të veçanta dhe edukimi parashkollor, ajo fton qytetarët që ta votojnë PDK-në dhe atë si kandidate për deputete që mos ta humbin besimin te Kosova, duke premtuar veprim mbi zhurmën dhe rezultate mbi slogane.
Intervista e plotë:
“Epoka e re”: Jeni për herë të parë në garë për deputete me numrin 29 në listën e PDK-së – Kush është Kaltrinë Lohaj?
Kaltrinë Lohaj: Jam rritur me dashuri për Kosovën, me ndjenjë të fortë kombëtare dhe me bindjen se shteti ynë meriton më shumë. Vij nga një familje patriotike që e ka paguar çmimin e lirisë së Kosovës, jam vajza e dy ish të burgosurve politikë dhe bashkëshortja e djalit të një dëshmori të luftës së fundit në Kosovë. Për mua, patriotizmi nuk është slogan politik, por histori familjare dhe përgjegjësi morale. Jam logopede me profesion dhe themeluese e tre institucioneve në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, me një staf prej thuajse 60 profesionistësh, ku 50 prej tyre janë gra. Kjo tregon qartë se gratë dhe të rinjtë janë ndër fokuset e mia kryesore.
Në këtë rrugëtim kam mësuar si mbahet përgjegjësia, si ndërtohen sisteme funksionale dhe si arrihen rezultate konkrete pa shumë zhurmë, por me punë të vazhdueshme dhe përkushtim.
“Epoka e re”: Çfarë ju shtyri të hyni në politikën aktive?
Kaltrinë Lohaj: Më shtyu një ndjenjë e thellë përgjegjësie ndjesia se nuk mund të qëndroja më vetëm duke i parë problemet nga jashtë. Çdo ditë, në punën time me fëmijët, prindërit dhe familjet, kam parë ëndrra që thyhen nga mungesa e mbështetjes në arsim, nga vështirësitë në shëndetësi, nga mungesa e mundësive për gratë dhe nga pasiguria që përjetojnë bizneset e vogla. Në një moment e kupton që empatia nuk mjafton më. Duhet veprim. Pikërisht për këtë vendosa të hyj në politikë aktive.
Kam zgjedhur PDK-në sepse besoj se Kosova ka hyrë në një drejtim të rrezikshëm izolimi, tensioni dhe populizmi emocional. Duke ardhur nga një familje me vlera kombëtare, e kam parë PDK-në si subjektin me histori shtetformuese, që mund ta rikthejë seriozitetin në udhëheqjen e vendit.
PDK-ja e ka ndërtuar shtetin e Kosovës. Tani është koha që një gjeneratë e re brenda PDK-së ta ndërtojë të ardhmen e saj.
“Epoka e re”: Në cilat fusha mendoni se Kosova ka më së shumti nevojë për ndryshim urgjent?
Kaltrinë Lohaj: Kosova ka nevojë urgjente për ndryshim në ekonomi, diplomaci dhe në krijimin e perspektivës për rininë. Nuk mund të flasim për sukses kur të rinjtë tanë po e shohin largimin si zgjidhje. Nuk mund të flasim për dinjitet shtetëror kur Kosova hyn në tensione të panevojshme me aleatët strategjikë që historikisht kanë qenë pranë nesh. Na duhet një shtet më serioz, më pragmatik dhe më i fokusuar në zhvillim ekonomik, investime dhe forcim të pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
“Epoka e re”: Çfarë do t’u ofrojë PDK-ja qytetarëve ndryshe nga partitë tjera?
Kaltrinë Lohaj: PDK-ja do t’u ofrojë qytetarëve seriozitet shtetëror, zhvillim ekonomik dhe rikthim të besimit tek shteti. Qytetarët sot janë lodhur nga propaganda, zhurma dhe politika e konfliktit të përhershëm. Ne besojmë se patriotizmi nuk dëshmohet me fjalë të mëdha apo tensione të vazhdueshme, por me forcimin e shtetit, ekonomisë dhe aleancave tona strategjike. PDK-ja ka përvojën shtetformuese, por sot ka edhe një gjeneratë të re që e kupton kohën moderne dhe nevojat reale të qytetarëve.
“Epoka e re”: Çfarë roli mund të ketë rinia në zhvillimin dhe vendimmarrjen politike në Kosovë?
Kaltrinë Lohaj: Rinia duhet të jetë në qendër të vendimmarrjes dhe jo vetëm dekor i fushatave politike.
Fatkeqësisht, shumë të rinj sot ndihen të përjashtuar dhe pa perspektivë. Nëse vazhdojmë kështu, do të përballemi me zbrazje të Kosovës dhe humbje të potencialit më të madh që ka vendi ynë.
Ne kemi nevojë për politika që i dëgjojnë të rinjtë, që krijojnë kushte për biznes, punësim dhe zhvillim profesional, në mënyrë që ata ta ndërtojnë jetën e tyre këtu dhe jo jashtë Kosovës.
“Epoka e re”: Sa mendoni se është i rëndësishëm përfaqësimi i grave dhe të rinjve në Kuvendin e Kosovës?
Kaltrinë Lohaj: Është jashtëzakonisht i rëndësishëm, por jo vetëm si statistikë apo kuotë. Kosova ka nevojë për gra dhe të rinj që sjellin energji të re, integritet dhe guxim për të folur për problemet reale të qytetarëve.
Besoj se gratë shqiptare kanë treguar gjithmonë forcë, sakrificë dhe përgjegjësi për familjen dhe kombin, dhe kjo duhet të reflektohet më shumë edhe në politikë dhe në vendimmarrje.
“Epoka e re”: Cilat janë prioritetet tuaja kryesore nëse merrni besimin e qytetarëve në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit?
Kaltrinë Lohaj: Prioriteti im kryesor do të jetë krijimi i perspektivës për rininë dhe forcimi i ekonomisë. Do të angazhohem për politika që mbështesin të rinjtë, gratë, biznesin, punësimin dhe investimet, sepse pa ekonomi të fortë nuk ka as dinjitet shtetëror dhe as stabilitet shoqëror. Mbi të gjitha, prioritet i veçantë për mua do të jetë zhvillimi i shërbimeve për fëmijët me nevoja të veçanta, përmirësimi i sistemit të edukimit parashkollor dhe forcimi i politikave sociale për familjet. Gjithashtu, do të angazhohem për rritjen e aksesit në shërbime profesionale dhe terapeutike në të gjithë Kosovën.
“Epoka e re”: Cili është mesazhi juaj për votuesit që ende janë të pavendosur për zgjedhjet e 7 qershorit?
Kaltrinë Lohaj: Mesazhi im është i thjeshtë: mos e humbni besimin tek Kosova.
Ne nuk mund ta ndërtojmë të ardhmen me zhurmë, përçarje dhe populizëm emocional. Kosova ka nevojë për dinjitet, zhvillim dhe seriozitet shtetëror. Unë besoj tek Kosova, tek familja shqiptare, tek vlerat tona kombëtare dhe tek një shtet më i fortë, më dinjitoz dhe më i zhvilluar për brezat që vijnë.


