Kandidati i ekstremit të djathtë, Abelardo de la Espriella, dhe senatori i majtë, Ivan Cepeda, do të përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Kolumbia më 21 qershor, pasi asnjëri prej tyre nuk arriti të sigurojë shumicën absolute të votave në raundin e parë.
Sipas rezultateve zyrtare, me 99.9% të votave të numëruara, Abelardo de la Espriella kryeson me 43.73% të votave, ndërsa Ivan Cepeda renditet i dyti me 40.91%.
Në vendin e tretë u rendit figura e së djathtës së ashpër, Paloma Valencia, me 6.92%, e ndjekur nga kandidati i qendrës së majtë Sergio Fajardo me 4.25%. Më pas vijnë Claudia López me 0.95% dhe Raul Santiago Botero Jaramillo me 0.87%.
Megjithatë, procesi zgjedhor është shoqëruar me polemika. Presidenti në largim, Gustavo Petro, vuri në dyshim rezultatet paraprake, duke deklaruar se do të presë verifikimin nga autoritetet gjyqësore. Petro pretendoi se janë numëruar “qindra mijëra fletëvotime” të votuesve të paregjistruar.
Edhe Ivan Cepeda shmangu njohjen e menjëhershme të rezultateve, duke deklaruar para mbështetësve të tij në Bogotá se kishte raportime për parregullsi në disa qendra votimi.
“Vetëm pasi komisionet e numërimit të kenë sqaruar plotësisht këto çështje, ne do të bëjmë një njoftim për rezultatet”, tha ai, duke shtuar se “nuk do t’ia dorëzojmë Kolumbinë fashizmit”.
Abelardo de la Espriella, avokat dhe biznesmen 47-vjeçar, nuk ka mbajtur më parë poste të zgjedhura politike, por është bërë i njohur për qëndrimet e tij të ashpra ndaj krimit dhe sigurisë. Politikat e tij janë krahasuar shpesh me ato të presidentit të El Salvador, Nayib Bukele. Ai ka premtuar ndërtimin e 10 burgjeve të mëdha, luftë të fortë kundër rebelëve dhe bandave kriminale, si dhe masa sociale për përmirësimin e arsimit, shëndetësisë dhe strehimit për shtresat më të varfra.
Nga ana tjetër, Ivan Cepeda, 63 vjeç, ka premtuar se do të ndjekë një strategji paqeje përmes negociatave me grupet rebele. Programi i tij përfshin reforma për reduktimin e pabarazive sociale, rritjen e taksave për shtresat me të ardhura të larta, shpërndarjen e tokës për viktimat e konfliktit të brendshëm dhe zgjerimin e mbulimit shëndetësor për qytetarët.
Balotazhi i 21 qershorit pritet të jetë një nga përballjet më të forta politike të viteve të fundit në Kolumbi, duke vendosur përballë dy vizione diametralisht të kundërta për të ardhmen e vendit.


