Hamza: Kosova s’mund të presë më, duhet marrëveshje politike para konstituimit të Kuvendit

Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se nuk ka vija të kuqe për marrëveshje politike që do të mundësonin krijimin e shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës.

Në një konferencë për media, Hamza tha se preferenca e tij mbetet formimi i një qeverie nga partitë që kanë qenë në opozitë, por theksoi se nuk përjashton asnjë formulë bashkëpunimi nëse kjo i shërben stabilitetit të vendit.

“E kam dhënë preferencën time, që më e shëndetshme për vendin është krijimi i partive të cilat kemi qenë në opozitë. Mirëpo nuk kam qenë përjashtues. Për të pasur institucione të shpejta dhe të qëndrueshme duhet të ketë marrëveshje politike që tani, pa filluar ende konstituimi i Kuvendit”, deklaroi Hamza.

Ai shtoi se vendi nuk mund të mbetet peng i ngërçeve politike, pasi sfidat dhe prioritetet shtetërore kërkojnë veprim të menjëhershëm.

“Pres që të ketë formim të shpejtë të institucioneve të Kosovës, duke përfshirë Kuvendin, Qeverinë dhe Presidentin, në mënyrë që të përmbyllet ky cikël dhe t’i kthehemi punës”, u shpreh ai.

Duke komentuar rënien e pjesëmarrjes në zgjedhje, Hamza tha se mesazhi i qytetarëve për klasën politike ishte i qartë.

“200 mijë vota më pak… po e thjeshtësoj çka na kanë thënë votuesit: ‘Na keni lodhë – boll’”, deklaroi ai.

By admin