Një stuhi e fuqishme që goditi mbrëmjen e së enjtes kantonin e Cyrihut ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, veçanërisht në qytetin Illnau-Effretikon, ku erërat e forta shkëputën çatinë e një ndërtese dhe e hodhën mbi një makinë të parkuar. Për fat të mirë, nuk raportohet për të lënduar.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë pemë të rrëzuara, degë të shpërndara në rrugë dhe trotuare, ndërsa ekipet e emergjencës punuan gjatë gjithë natës për të pastruar zonat e prekura. Vetëm në kantonin e Cyrihut u regjistruan qindra thirrje për ndihmë për shkak të përmbytjeve, pemëve të rrëzuara dhe dëmeve të shkaktuara nga era, transmeton faktiditor.info
Banorja 81-vjeçare Esther tregoi se bashkëshorti i saj pa me sytë e tij momentin kur çatia u shkëput nga ndërtesa fqinje. “Papritur çatia fluturoi në ajër dhe pak çaste më vonë u dëgjua një përplasje e fortë mbi makinën e parkuar”, tha ajo.
Një tjetër banor, Hansi, tha se nuk kishte përjetuar kurrë një stuhi kaq të fuqishme. “Një mur i vërtetë uji erdhi drejt nesh. Nuk kam parë diçka të tillë më parë”, u shpreh ai, duke shtuar se çatia metalike e ndërtesës kishte bërë zhurmë edhe më herët dhe dyshon se mund të ketë pasur probleme në ndërtim.
Autoritetet zvicerane vazhdojnë vlerësimin e dëmeve, ndërsa shërbimet meteorologjike paralajmërojnë se moti i paqëndrueshëm mund të vazhdojë edhe në ditët në vijim.



