Tetovë – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka akuzuar kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, për, sipas tyre, manipulim të opinionit publik lidhur me promovimin e punimeve për rrugën Tetovë–Prizren.
Në një reagim publik, BDI pretendon se lokacioni ku Kasami promovoi fillimin e punimeve nuk është pjesë e trasesë së projektuar të rrugës Tetovë–Prizren. Sipas partisë opozitare, Komuna e Tetovës nuk ka kompetencë për realizimin e këtij projekti, pasi bëhet fjalë për një rrugë shtetërore.
“Kur realiteti nuk prodhon sukses, pushteti prodhon gënjeshtra”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia opozitare ngre disa pretendime konkrete, duke theksuar se:
Traseja e rrugës Tetovë–Prizren nuk kalon në lokacionin ku u promovuan punimet;
Komuna e Tetovës nuk është institucioni kompetent për realizimin e këtij projekti;
Punimet e prezantuara, sipas BDI-së, nuk mbështeten në projekt themelor, nuk kanë leje ndërtimi dhe nuk është përfunduar procesi i shpronësimit të pronave private.
Në përfundim të reagimit, BDI thekson se një projekt i këtij niveli nuk mund të realizohet pa dokumentacionin e nevojshëm ligjor.
“Pa projekt dhe pa leje nuk ndërtohet rrugë, por vetëm një gënjeshtër”, thuhet në deklaratën e partisë.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, nuk ka reaguar ndaj këtyre akuzave.transmeton TS.



