Eurodeputeti çek: Nëse ministrja Paunoviq mbetet në Qeveri, Serbia rrezikon ndërprerjen e negociatave me BE-në

Bruksel – Eurodeputeti çek Tomas Zdechovsky, anëtar i Partisë Popullore Evropiane (EPP), ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviq lidhur me spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë, duke paralajmëruar pasoja serioze për rrugën evropiane të Serbisë.

Në një intervistë për emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Zdechovsky tha se deklaratat e ministres janë të papranueshme për një shtet që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Askush që dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian nuk mund të përkrahë deklarata të tilla. Ajo që bëri Sllobodan Millosheviqi ishte qartazi gjenocid ndaj popullit të Kosovës. Nëse kjo ministre vazhdon të jetë pjesë e qeverisë serbe, jam i sigurt se Bashkimi Evropian nuk do të vazhdojë komunikimin dhe negociatat për anëtarësimin e Serbisë në BE,” deklaroi ai.

Sipas eurodeputetit çek, deklaratat e Paunoviq kanë shkaktuar reagime të forta edhe në mesin e eurodeputetëve të tjerë.

“Nëse dikush me këto qëndrime mbetet pjesë e qeverisë së një vendi demokratik, atëherë diçka nuk është në rregull. Bashkimi Evropian është një klub i demokracive dhe me këto qëndrime nuk mund të bëhesh pjesë e tij,” u shpreh Zdechovsky.

Ai kritikoi edhe qasjen e deritanishme të BE-së ndaj Serbisë, duke thënë se Brukseli ka treguar durim për një kohë të gjatë.

“Ne nuk kemi kritikuar mjaftueshëm presidentin aktual të Serbisë, pavarësisht skandaleve të korrupsionit, afërsisë së tij me Vladimir Putinin, mbështetjes për Kinën kundër Bashkimit Evropian dhe mungesës së veprimeve ndaj ndikimit rus. Por tani është koha të themi: mjaft është mjaft”, deklaroi ai.

Zdechovsky theksoi se Serbia ndodhet përballë një momenti vendimtar.

“Serbia ka mundësinë e fundit për të qenë pjesë e botës demokratike. Nëse vazhdon në këtë rrugë, mesazhi ynë do të jetë i qartë: nuk e duam Serbinë në Bashkimin Evropian. Ata mund të zgjedhin të jenë pjesë e Rusisë dhe të kalojnë kohën me presidentin Putin.”

Në fund, eurodeputeti paralajmëroi se në institucionet evropiane po diskutohen masa konkrete ndaj Serbisë.

“Mendoj se do t’i ngrijmë marrëdhëniet tona me Serbinë dhe kjo do të ketë pasoja serioze. Nuk mund të zbuloj më shumë, por po diskutojmë hapat që do të ndërmerren nëse Serbia vazhdon me këtë qasje,” përfundoi Tomas Zdechovsky.

By admin