Tre vite studentët paguanin, por paratë nuk mbërrinin në Universitetin e Tetovës, ngrihet kallëzim penal ndaj një të punësuari

Drejtoria e Policisë Financiare ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë kundër një personi zyrtar të punësuar në Universitetin e Tetovës, i cili ka ushtruar detyrën si nëpunës administrativ – bashkëpunëtor i lartë për logjistikë dhe punë në terren, për shkak të dyshimeve se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” sipas nenit 353 dhe “Falsifikim i dokumenteve” sipas nenit 378 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

I denoncuari A.Z., si i punësuar në Universitetin e Tetovës, në periudhën nga marsi i vitit 2020 deri në shkurt të vitit 2023, dyshohet se ka keqpërdorur pozitën dhe autorizimet e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete. Sipas kallëzimit, ai, në vend që mjetet financiare në para të gatshme, të cilat ia kishin dorëzuar studentët e Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Matematikore (cikli i parë dhe i dytë), Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Fakultetit të Mjekësisë, t’i depozitonte në llogarinë e universitetit përmes aplikacionit E-pay (www.epay.unite.edu.mk), si pagesa për participim, bashkëfinancim dhe shpenzime të tjera të studimeve, i ka përvetësuar për vete.

Me këtë, ai dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme 3.362.272 denarë, ndërsa për të njëjtën shumë i ka shkaktuar dëm Buxhetit të Universitetit të Tetovës.

Për të fshehur përvetësimin e mjeteve financiare dhe gjurmët e veprës penale, i denoncuari dyshohet se ka përgatitur vërtetime të falsifikuara për pagesa kinse të realizuara përmes aplikacionit E-pay, të cilat ua ka dorëzuar studentëve si dëshmi për pagesën e kryer.

Për përgatitjen e këtyre dokumenteve, ai ka përdorur të dhëna, përfshirë edhe kodin QR, nga një vërtetim autentik për pagesë të kryer përmes E-pay me kartelë bankare të motrës së tij. Më pas, duke ndryshuar të dhënat e paguesit, shumën dhe datën e pagesës, ai ka falsifikuar dokumentin dhe ua ka dorëzuar studentëve.

Studentët, duke besuar se pagesat ishin kryer, i kanë ngarkuar këto vërtetime si bashkëngjitje (attachment) në sistemin elektronik të universitetit dhe njëkohësisht i kanë dorëzuar edhe në shërbimin studentor si dëshmi për pagesën e realizuar.

By admin7