Një 25-vjeçar nga Haraçina e Shkupit është arrestuar pas një aksioni të policisë, ku gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën mbi dy kilogramë lëndë narkotike të dyshuar si marihuanë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 24 korrik 2026, zyrtarët e Njësisë për Tregti të Paligjshme dhe Njësisë së Policisë Intervenuese pranë SPB Shkup, me urdhër të Gjykatës Themelore Penale Shkup, kanë kryer kontroll në shtëpinë dhe objektet ndihmëse të B.N. (25) në Haraçinë.
Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar mbi dy kilogramë substancë të dyshuar si marihuanë, si dhe një peshore digjitale me mbetje të lëndës narkotike.
I dyshuari është privuar nga liria dhe është dërguar në stacion policor. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal sipas nenit 215 të Kodit Penal, me procedurë urgjente.



