Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit dhe zhvillimeve rreth zgjedhjes së nënkryetarëve.
Bajrami ka thënë se situata e krijuar në Kuvend e bën të domosdoshme, sipas saj, ndërmarrjen e veprimeve për mbrojtjen e rendit kushtetues.
Reagimi i saj i plotë:
“Është urgjencë kombëtare të shpëtohet ky shtet. Puna e parë në Kuvend do të jetë jetësimi i nismës së IKD-së për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës, në mënyrë që ata që e shkelin Kushtetutën, njësoj si armiqtë e këtij shteti, të përfundojnë në burg, të japin llogari dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.
Sepse ky vend nuk është ndërtuar që një mashtrues, i cili erdhi në pushtet me premtimin e bashkimit kombëtar, ta rrënojë shtetin për të cilin njerëzit kanë dhënë jetën, kanë dhënë gjymtyrët dhe mbajnë ende plagët në trup!”, ka shkruar Bajrami.



